Kur pritej të diskutohej ligji për trashëgiminë kulturore, deputeti Ilir Beqaj ka sjellë para deputetëve të Komisionit të Medias shqetësimin për kërcënimin publik që i është bërë një gazetari nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Përgjigjja e Albana Vokshit, kryetares së Komisionit të Edukimit, ishte kjo: “Po e mbroni ju, që thoni “kazani, kazani” gjithë ditën”.
Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka pritur të sqaronte pikat e projektligjit të trashëgimisë kulturore, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të mos ishte ligj, por kod, përsa kohë është mbështetur në modelin italian.
“Të jetë kod, që të mos vendosë ministrja për çdo gjë, që të mos ndodhë që qeveria të japë leje për Butrintin apo Voskopojën, siç po ndodh. Të mos ndodhë si me kullat pas teatrit”, tha Vokshi.
Ndërsa Kumbaro theksoi se, “nuk mund të jetë kod sepse ka pasoja në ligjet e tjera”.
Ministrja e Kulturës ka shpjeguar se ky projektligj është mjaft i rëndësishëm, pasi përcakton rregulla të qarta për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore.
“Përcakton rregulla të funksionimit, administrimit, mbikqyrjes së muzeve. Është vlerë e shtuar për deklarimin, legjitimimin e pasurive të luajtshme”, tha Kumbaro.
Projektligji do të diskutohet edhe me grupet e interesit.
Top Channel