Banane dhe kokainë kolumbiane në Durrës

28/02/2018 15:07

Kontenieri me banane dhe 613 kilogramë kokainë me vlerë rreth 180 milion euro mbërriti në Portin e Durrësit me anije tregtare më 19 shkurt.

Kontenieri i modifikuar me dysheme të dyfishtë ishte nisur nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë dhe Maltës, me destinacion final Shqipërinë

Prej më shumë së një javë, kontenieri me 613 kg kokainë ka qëndruar në zonën e kalatës së Portit të Durrësit duke u mbajtur nën mbikqyrje nga policia deri në momentin kur firma e tërhoqi.

Në brendësi të kontenierit që u trasportua në magazinat e një firme në Maminas, policia gjeti 528 pako, të mbështjella me letër natriban dhe kode të vendosura nga trafikantët.

Policia tha se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Hetimin Doganor, mbi bazën e informacioneve dhe analizës së riskut.

Uniformat blu arrestuan dy 25-vjeçarët Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku si të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar, ndërkohë që në kërkim u shpall pronari i firmës “Arbër Garden ”, shtetasi Arbër Çekaj.

“Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Kjo është sasia më e madhe e kokainës së sekuestruar vitet e fundit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA