Nigeria dislokoi ushtarë dhe avionë shtesë për të kërkuar 110 vajza shkolle, që besohet se janë rrëmbyer nga militantët e “Boko Haram” javën e shkuar.
Vajzat u zhdukën pasi xhihadistët sulmuan shkollën e tyre në qytetin Dapçi, në provicën verilindore Jobe, më 19 shkurt.
Presidenti nigerian, Muhammadu Buhari tha se ngjarja është një katastrofë kombëtare dhe u kërkoi falje familjeve të vajzave. Sulmi në Dapçi rikujtoi fantazmat e Çibukut, po në Nigeri, kur në vitin 2014 u rrëmbyen thuajse 300 vajza shkolle nga “Boko Haram” dhe mbi 100 prej tyre rezultojnë ende të zhdukura.
Në rastin e qytetin Dapçi, zemërimi është shtuar ndjeshëm mes familjeve të vajzave, të cilat thonë se muajin e shkuar ishin larguar shumë ushtarë nga postblloqet në qytet, pavarësisht se kjo është një zonë me rrezikshmëri të lartë.
Pasi shkolla u sulmua, mësuesit dhe shumë prej nxënëseve të saj ia mbathën në pyjet aty pranë. Deri vonë, autoritetet mohuan rrëmbimin e vajzave të shkollës dhe thanë se ato gjenden të fshehura. Por më pas, të përballur me faktet, ata u detyruan të pranonin rrëmbimin dhe tani kanë shtuar përpjekjet për gjetjen e tyre, gjë për të cilën pak vet mbajnë shpresë.
Militantët e “Boko Haram” luftojnë prej vitesh kundër autoriteteve në veri të Nigerisë, në përpjekje për të krijuar shtetin e tyre islamik.
Top Channel