Xhaçka u drejtohet ushtarakëve: Vlerësim sipas meritës dhe trajtim më dinjitoz

25/02/2018 09:55

Vlerësim dhe promovim në bazë të meritokracisë dhe trajtim përherë e më tepër dinjitoz për ushtarakët shqiptarë, ishte mesazhi kryesor që ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u dha efektivëve të batalionit të tretë të këmbësorisë në Poshnje, gjatë qëndrimit të saj në Berat, në kuadër të mbledhjes së qeverisë në këtë qark.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Xhaçka falënderoi të gjithë efektivët e këtij batalioni për angazhimin dhe kontributin e tyre në përmbytjet e fundit, sidomos tani që Emergjencat Civile janë nën përgjegjësinë e institucionit që ajo drejton.

“Dua të ndalem pak tek Emergjencat Civile që tashmë janë fushë përgjegjësie e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse e kam parë kontributin, dedikimin, përkushtimin, profesionalizmin e gjithsecilit prej jush në ato operacione shumë të vështira në fillim të dhjetorit, kryesisht në zonën e Fierit dhe të Vlorës, por edhe këtu në Berat me punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjithsecili prej jush për t’i ardhur në ndihmë atyre banorëve që vuanin pasojat e motit të keq”, tha ministrja Xhaçka.

Më tej, ministrja Xhaçka zhvilloi një bisedë të shkurtër edhe me ushtarakët që kanë kaluar me sukses testet për t’u bërë pjesë e kontingjentit të ardhshëm shqiptar, i cili do të shërbejë në misionin e NATO-s Resolute Support në Kabul të Afganistanit, në kuadër të rritjes së kontributit të vendit tonë dhe shtimit të trupave shqiptarë në këtë mision. Ministrja i siguroi ata për një proces përzgjedhës të rregullt, i bazuar tërësisht në meritë dhe për të cilin mori konfirmimin e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që ky të jetë një proces, i cili vlerëson më të mirët, që vlerëson meritokracinë dhe vlerëson ata njerëz që vërtetë janë të përgatitur për të shkuar në misione paqeruajtëse sepse sigurisht ju të gjithë e kuptoni që është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe që merrni mbi vete, jo vetëm për t’i shërbyer vendit tonë, por edhe për të projektuar siguri atje ku shkoni”, theksoi Xhaçka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA