Kalaja në Gjirokastër po dëmtohet

18/02/2018 10:36

Ministrja e kulturës Mirela Kumbaro ka qenë në Gjirokastër për të parë nga afër pasojat e çarjes së murit të kalasë, të evidentuara pak ditë më parë.

“Konstatohet një zgjerim i çarjeve ekzistente me 1-1.5 cm. Natyrisht që çdo lëvizje që ndodh në terren reflektohet deri në lartësinë e mureve”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se gjeologët kanë relatuar për ndryshime morfologjike të terrenit mbi të cilin është ngritur kalaja, ku konstatohen çarje ekzistente, ndërsa po punohet për projektin e ndërhyrjes dhe parandalimin e avancimit të këtyre çarjeve të hershme.

“Inxhinierët janë duke punuar për të bërë projektin e ndërhyrjes së fortifikimit dhe parandalimi i këtyre krisjeve që nuk janë të reja, e theksoj”, shpjegoi Kumbaro.

Arkitekti dhe restauratori Agron Doraci, ndonëse e cilësoi situatën të rrezikshme, theksoi domosdoshmërinë e sistemimit të ujërave për shmangien e lagështisë në muret e kalasë, si një ndër faktorët dhe pasojat negative në të.

Thellimi i çarjeve në pjesën Juglindore të murit të kalasë së Gjirokastrës, ngriti alarmin për rrezikun e shembjes së saj si pasojë e erozionit dhe lëvizjeve tektonike që kanë përkeqësuar situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA