A duhet ndryshuar ora? Nismë në PE për ta rishikuar

09/02/2018 12:17

Parlamenti Europian mbështet idenë e rishikimit të ndërrimit të orës, me qëllimin të kursehet koha ditore, një masë kjo që mund të ndalojë kalimin e akrepave një orë pas apo para në pranverë e në vjeshtë.

Ligjvënësit i kërkuan Komisionit Europian të nisë një “vlerësim të plotë” të sistemit aktual dhe të dalë me plane të reja, nëse është e nevojshme.

Mbështetësit këmbëngulin se ai kursen energji dhe redukton aksidentet e trafikut. Kritikët argumentojnë se mund të shkaktojë probleme afatgjata shëndetësore.

Ligjet aktuale të bllokut përcaktojnë një datë në pranverë dhe një në vjeshtë, sipas të cilave në të 28-a vendet anëtare, ashtu si në plot shtete të tjera, akrepat duhet të lëvizin me një orë. Ideja është të sigurohen orë shtesë drite për mbrëmjen në verë dhe më shumë dritë për mëngjesin në dimër.

Në të gjithë botën, megjithatë, ndasitë për sa u takon përfitimeve të këtij sistemi janë të mëdha. Muajin e kaluar, Finlanda kërkoi hapur që prej lëvizjes të hiqet dorë në mbarë BE-në, pas një peticioni ku u mblodhën më shumë se 70 mijë firma nga qytetarët që i kërkojnë shtetit të tyre rrëzimin e kësaj praktike.

Ndërsa gjatë një debati në Strasburg, europarlamentarja franceze Karima Delli argumentoi se lëvizja e akrepave përpara në verë i bën njerëzit më të lodhur dhe shton rrezikun e aksidenteve.

“Studimet që tregojnë se një rritje e aksidenteve rrugore, ose probleme gjumi gjatë ndryshimit të kohës, duhet të merren seriozisht. Kursimet e parashikuara të energjisë nuk janë bindëse”, tha Karima Delli, europarlamentare franceze.

Në vitin 2014, Rusia kaloi përfundimisht në orën e dimrit pas një eksperimenti të dështuar që i kishte lënë sahatet në orën e verës gjatë të gjithë vitit. Deputetët rusë thanë se koha e përhershme e verës kishte shkaktuar stres dhe probleme shëndetësore, sidomos në veriun e vendit, ku mëngjeset janë të errëta për një periudhë më të zgjatur gjatë muajve të ashpër të dimrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA