Kombinimet e produkteve për të realizuar një pastiço të mirë janë pafund por kuzhinierja Aida Marku ka përzgjdhur të na tregojë hap pas hapi realizimin e një pastiçoje me spinaq.

Për të realizuar këtë recetë na duhen:
– Makarona për pastiço
– Spinaq
– Gjizë
– Djathë kaçkavall
– Vezë
– Miell
– Qepë të njoma
– Domate të thata
– Majdanoz
– Vaj ulliri
– Qumësht
– Arrë moskat
– Kripë
– Piper

 

Përgatitja:
Në fillim vendosim makaronat të ziejnë në ujë të valuar me pak kripë. I lemë të ziejnë ndërkohë grijmë qepën e njomë. Vendosim vaj ulliri në një tigan dhe kavardizim qepën. Kur qepa zbutet hedhim spinaqin e grirë që të kavaradiset bashkë me qepën dhe e mbulojmë me një kapak. Ndërkohë makaronat duhen hequr nga uji pak më parë se zakonisht. Nëse etiketa thotë që duhen zier 8 minuta ne do ti heqim për 4 minuta sepse ato do të ziejnë përsëri në furrë.
Pasi i kullojmë ujin, makaronat i vendosim në një tavë të thellë dhe i hedhim pak vaj ulliri që mos të na ngjisin. Më pas përgatisim dy kokrra vezë që do ti hedhim brenda tek makaronat. Ndërsa rrahim vezën i hedhim brenda pak gjizë, piper, kripë dhe pak qumësht. Për ti dhënë pak shije më të fortë i hedhim edhe domate të thata. Të gjithë këtë përzierje e hedhim tek makaronat në mënyrë që të lidhen në një masë të vetme. Kur shohim që spnaqi dhe qepa që kishim në tigan janë zbutur mjaftueshëm i heqim nga flaka për tu ftohur pak. Ndërkohë përgatisim salcën beshamel.

Në një tigan hedhim pak vaj ulliri, rreth 100ml, 3 lugë të plota miell, i kaurdisim për 3 – 4 minuta dhe më pas hedhim qumështin që e kemi pak të ngrohtë. Qumështin e hedhim pak nga pak dhe jo të gjithin njëherësh. E perziejmë vazhdimisht që mos të na ngjisi. Kur salca bëhet kremoze i hedhim piper të bardhë, arrë moskat, djathë kaçkavall dhe të verdhat e vezës. Ndërkohë spinaqi është ftohur dhe e shtrojmë tek makaronat së bashku me salcën beshamel. I hedhim majdanoz të freskët dhe pak djathë kackavall dhe tava është gati për pjekje. E lemë në furrë për 30 minuta me temperaturë 200 gradë. Pas 30 minutash e nxjerrim dhe e lemë të ftohet pak para se ta presim për ta servirur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA