Mocioni me debat i opozitës që kërkoi ndryshimin votës së Shqipërisë mbi rezolutën e OKB-së për statusin e Jeruzalemit, rindezi debatin në Parlament.
Ditmir Bushati: Që prej vitit 2007 ua ka thënë ministri i Jashtëm i kohës, Besnik Mustafaj, Shqipëria mban të njëjtin qëndrim me Bashkimin Europian.
Sali Berisha: Shqipëria ka vendosur që prej anëtarësimit në NATO se për çështjet e sigurisë do të votojë si SHBA. Nëse Donald Trump sulmon Korenë e Veriut Shqipëria duhet të jetë e para që ta mbështesë.
Në diskutim u përfshi edhe Kryeministri Rama, sipas të cilit demokratët kanë tjetër shqetësim, që lidhet me drejtësinë. Me të replikoi lideri i opozitës Basha.
Edi Rama: Nuk e gjeni dot strehen në Jeruzalem. Me SHBA nuk ju bashkon dot Jeruzalemi, se ju ndan drejtësia.
Lulzim Basha: Vota e 21 dhjetorit ishte kundër Shba. Me votën në OKB vendose në peshoren e rrezikut interesin kombëtar.
Asnjëri prej të dyve nuk i rezistoi debatit më të gjerë politik.
Lulzim Basha: Mashtrimi do të vazhdojë derisa atë që bënë qytetarët më 27 janar të vijnë ta bëjnë këtu në sallë. Çohuni! Sa herë të bllokoni një aks rrugor, opozitën do ta keni në krah.
PS iu përgjigj opozitës me një rezolutë paralele, ku i kërkohet Qeverisë të punojë me partnerët strategjikë si SHBA dhe BE për paqen ne Lindjen e Mesme.
Top Channel