Në përgjigje të interpelancës së opozitës, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi me vendosmëri se ka respektuar ligjin në rastin e ekstradimit drejt Italisë të Nezar Seitit, i dyshuar si financier i bandës Habilaj.
“Ministria e Drejtësisë vepron dhe disponon ekstradimin vetëm në bazë të një vendimi gjykate dhe vetëm në bazë të dokumentacionit që verifikon prokuroria dhe gjykata. Ajo as nuk heton dhe as nuk verifikon”, u shpreh ministrja Gjonaj.
Ministrja është mbrojtur deri më sot me argumentin se nuk ka pasur dijeni të hetimeve në Shqipëri. Por ish-ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj solli si provë një kërkesë për informacion për autoritetet italiane që do të ndihmonte palën shqiptare në hetimet ndaj Tahirit dhe Nezar Seitit, firmosur nga Gjonaj.
“Prokuroria e krimeve të rënda i kërkon të përcjellë një letër porosi për veprime prodecuriale pikërisht për çështjen penale 164 i përfshirë Habilaj, Saimir Tahiri dhe Nezar Seiti. Kush e ka nënshkruar do thoni ju, ministri Etilda Gjonaj Saliu”, tha Alibeaj.
Ministrja Gjonaj nuk iu përgjigj kësaj, por u mbrojt me një një tjetër argument.
“Kur ndaj një personi ka procedim penal nga një apo më shumë shtete apo në rastin ekzekutimit të një letër-porosie në kuadrin e një hetimi të përbashkët, përparësi i jepet shtetit ku ka prova më të shumta; ku hetimet janë më të zhvilluara”, tha Gjonaj.
Por Alibeaj citoi kodin e ri të procedurës penale për të thënë se përparësinë e kishte Shqipëria.
“Kur ka një procedim penal për një shtetas shqiptar për vepra penale të kryera në Shqipëri dhe në rast se ka kërkesë për ekstradim nga të huajt, përparësinë e ka prokuroria shqiptare”.
Interpelanca u mbyll me kërcënime nga të dyja anët, ministrja Gjonaj përmendi lakun e reformës në drejtësi, kurse nënkryetari i grupit demokrat tha se do të kallëzojë ministren e Drejtësisë për shpërdorim detyre.
Top Channel