Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shfrytëzoi vdekjen e futbollistit të Indianapolis, Edwin Jackson, për të ritheksuar qëndrimin e tij të ashpër për emigracionin.
Ai tha se ishte e turpshme, që një lojtar profesionist të humbë jetën në një aksident automobilistik për shkak të një guatemalasi, për të cilin policia tha se ndodhej ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë iu rikthye sulmeve kundër ligjvënësve demokratë, që janë në negociata me republikanët lidhur me ndryshimet në politikat e emigracionit dhe për çështjen sesi duhet të mbrohen më mirë dy milionë emigrantë të rinj nga deportimi.
“Kjo është vetëm një nga shumë tragjedi që mund të parandaloheshin”, shkruajti Trump në “Twitter” lidhur me aksidentin ku humbi jetën edhe shoferi i makinës ku ndodhej Jackson. “Ne duhet t’i bindim demokratët për t’u treguar të ashpër në çështjen e emigracionit të paligjshëm”, shkruante ai.
“Ne kemi nevojë për një sistem emigrimi të shekullit të XXI-të bazuar mbi meritën. Emigracioni zinxhir dhe lotaria e vizave janë programe të vjetëruara që dëmtojnë sigurinë tonë ekonomike dhe kombëtare”, komentoi më vonë ai.
Ligjvënësit amerikanë kanë hedhur disa propozime për emigracionin, por nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për një çështje kaq komplekse, ashtu siç ka ndodhur për vite me radhë në të kaluarën.
Top Channel