Njeriu i Habilajve trazon Kuvendin

01/02/2018 19:41

Duke parë listën e folësve llogaritë flisnin për seancë plenare maratonë, por debati i javës për atë që njihet si financieri i grupit të Habilajve, trafikantin e dyshuar Nezar Seitaj, përshpejtoi gjithçka.

Që në minutat e para, opozita kërkoi debat për ekstradimin drejt Italisë të Seitajt, dëshmitarit kyç të drejtësisë shqiptare për çështjen Tahiri-Habilaj.

“Mos ma ngrini dorën. Ndërpritet seanca. Mos i prek punonjësit e shërbimit. Zoti Spaho përjashtohet nga seanca”, tha Ruçi.

Pas vendimit për përjashtimin e Edmond Spahos, rrethimi i foltores nga opozita nuk ndaloi dhe seanca u ndërpre disa herë.

Gramoz Ruçi i dha drejtim situatës, duke ezauruar pikat e rendit të ditës me diskutimet thuajse telegrafike të disa deputetëve socialistë.

Sali Berisha shtensionoi situatën, duke i orientuar të vetët drejt foltores… Aty Lulzim Basha diktoi korin.

“Hajdutë kriminelë”.

Edi Rama nxiste të vetët të nxitonin…

Përballja eci thuajse paralelisht në rrjetet sociale.

Nga Basha përgjigja vjen sipas shprehjes “dhëmb për dhëmb”.

Vjen momenti kur Taulant Balla duhet të sigurojë numrat parlamentarë për votim.

Jashtë sallës, opozita shfrytëzoi rastin për të dhënë mesazhet e një proteste që vazhdon.

“Janë bërë të gjithë bashkë në këtë komplot, në këtë konsipracion për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç në momentin që ky pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë”, tha Basha.

“Protestat nuk do të ndalojnë asnjë moment. Rikthimi normal i seancave parlamentare do të jetë në momentin që parlamenti do t’i kthehet Kushtetutës”, tha Kryemadhi.

Bie gongu i prezencës, e cila shënon 74 deputetë. Këto vota, ku figurojnë dhe tre të PDIU-së, rrëzuan propozimin e opozitës për librat falas dhe aprovuan procedurën e negociimit të kontratës për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Votat nuk lëvizën, por pa ato të opozitës ishte i paralajmëruar dhe dështimi i listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

E njëjta skenë reflektoi dhe jashtë, ku media priste një reagim të Kryeministrit Rama.

Kryeministri vendos të largohet. Disa minuta më vonë Taulant Balla kishte një urim për të dhënë…të cilit gjithsesi nuk i mungoi jehona e një kori nga LSI.

“Populli gjykon dhe vlerëson. Këta që ishin mësuar të rrinin gjithmonë në pushtet, i nxori në opozitë. Vlonjatët ta gëzojnë aeroportin”, tha Taulant Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA