Përdoruesit e “Facebook”-ut kanë kaluar më pak kohë në këtë rrjet social, edhe para se ajo të njoftonte ndryshime të konsiderueshme në “News Feed”-in (kohështrirjen) e saj në janar.

Masat e reja, si shfaqja e më pak videove virale, ka reduktuar kohën e kaluar në rrjetin social me 5 për qind, ose rreth 50 milionë orë në ditë, në 3 muajt e fundit të vitit 2017.

Sidoqoftë, Facebook ka raportuar rezultate më të mira nga ato që priteshin, pavarësisht kësaj rënieje. Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg tha se prioritet ishte inkurajimi i ndërveprimit më të madh personal mes përdoruesve.

“Të ndihmojmë njerëzit që të lidhen me njëri-tjetrin është më e rëndësishme sesa maksimizimi i kohës që ata kalojnë në Facebook. Ne mund të garantojmë që shërbimi është i përshtatshëm për mirëqënien e njerëzve dhe shoqërinë në përgjithësi”, deklaroi Zuckerberg.

Në janar, Facebook njoftoi se do të bënte ndryshime në “News Feeds” për t’i dhënë më shumë prioritet postimeve nga miqtë e familjarët dhe për t’i bërë përmbajtjet nga bizneset e mediet më pak të pranishme.

Numri i përdoruesve aktivë mujorë u rrit me 14 për qind, duke shkuar në 2.13 miliardë në 3 muajt e fundit të vitit, edhe pse rritja ishte disi më e ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Facebook, ndërkohë, njofton se të ardhurat vjetore të tij janë rritur me 47 për qind vitin e kaluar, duke shkuar në më shumë se 40 miliardë dollarë, ndërsa fitimet u rritën me 56 për qind, duke shkuar në afro 16 miliardë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA