Koncesioni për sigurinë ushqimore, debate në Parlament

25/01/2018 20:49

Një ditë pas lajmit të transmetuar në Top Channel në lidhje me propozimin e bërë nga eksportuesit shqiptarë për ngritjen e një Partneriteti Pulbik Privat për sigurinë ushqimore, debati u zhvendos në Parlament. Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se ngritja e një sistemi të ri, siç thuhet në propozim, do të cënonte edhe më shumë sigurinë ushqimore. Ndërkohë, ministri Niko Peleshi u përgjigj duke thënë se siguria ushqimore do të vijojë të ruhet nga institucionet aktuale.

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh totalisht kundër krijimit të një Partneriteti Publik Privat për sigurinë ushqimore, siç propozon Qendra e Eksportuesve Shqiptarë.

“Kjo do të ishte shumë fatale. Unë do t’i apeloj Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë që ta hedhë në koshin e plehrave këtë propozim, i cili synon të marrë peng, të japë me koncension jo sigurinë ushqimore, por sigurinë e shqiptarëve. Siguria ushqimore hyn tek siguria kombëtare”, tha Panariti.

Por, ministri Niko Peleshi thotë se propozimi i bërë nga eksportuesit shqiptarë nuk është marrë në shqyrtim, ndërsa siguria ushqimore, sipas tij, do të vijojë të ruhet nga institucionet aktuale.

“Mesa u informova edhe nga media, bëhet fjalë për një studim në kohën e zotit Panariti, në kohën mars-prill. E kam injoruar sepse nuk e kemi shtruar fare për diskutim. Nuk bëhet fjalë për ndonjë tentativë për të monopolizuar sigurinë ushqimore. Kemi disa institucione të sigurisë ushqimore të cilat vetëm duhet të forcohen”, deklaroi Peleshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA