Diplomati veteran amerikan, Bill Richardson braktisi panelin e krijuar nga udhëheqësja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, për të këshilluar mbi krizën e myslimanëve “Rohingya”.
Richardson tha për mediet se, paneli ishte thjesht një fasadë pa përmbajtje dhe se Suu Kyi nuk ka moralin e duhur për lidership në këtë çështje.
Diplomati Richardson, një shok i afërt i udhëheqëses së Mianmarit, shtoi se ajo ishte zemëruar tej mase kur ai ngriti çështjen e dy gazetarëve të “Reuters” që po gjykohen në Mianmar.
Më shumë se 650 mijë myslimanë “Rohingya” braktisën Mianmarin vitin e shkuar, si pasojë e dhunës ushtarake. Eksodi masiv u cilësua nga OKB-ja si spastrim etnik dhe thirrjet që Aung San Suu Kyisë t’i hiqet çmimi “Nobel” për paqen shtohen gjithnjë e më shumë, pasi jo vetëm se nuk po bën asgjë për të ndalur dhunën ndaj etnisë “Rohingya”, por duket se e mbështet atë.
Richardson, ish-këshilltar i administratës Clinton tha se u dorëhoq nga paneli i Suu Kyi, sepse nuk ka ndërmend të jetë pjesë e tifozëve të qeverisë. Ai tha se sapo foli për dy gazetarët e arrestuar, që po hetonin për krizën e “Rohingya”-ve, Suu Kyi u tërbua nga zemërimi.
“U habita kur dëshmova furinë me të cilën ajo sulmoi mediet, OKB-në, grupet humanitare dhe komunitetin ndërkombëtar gjatë takimit”, deklaroi Richardson.
Qeveria e Mianmarit – tha më tej Richardson, – kishte ngritur diskutime që nuk kishin lidhje me çështjen dhe se duhet të kërkojë falje për sulmin personal që bëri ndaj këshilltares së shtetit, roli zyrtar i Aung San Suu Kyi, megjithëse nga të gjithë konsiderohet si udhëheqësja “de facto” e vendit.
Top Channel