Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara vrau mbi 150 militantë të Shtetit Islamik në Siri, përmes një serie sulmesh ajrore.
Ushtria amerikane lajmëroi se operacioni masiv u krye në afërsi të zonës së al-Shafah, në provicën juglindore Deir al-Zour.
Zyrtarë të ushtrisë thanë se, kombinimi i informacioneve të shërbimeve sekrete me vëzhgimin e vazhdueshëm të objektivit bëri që të mos kishte viktima civile.
Sulmi nuk është konfirmuar ende nga Shteti Islamik apo mbështetësit e tij. Sipas koalicionit, grupi xhihadist ka humbur 98% të territorit që pushtoi në Irak dhe Siri gjatë viti 2014, kur shpalli kalifatin.
Tashmë Shteti Islamik kontrollon disa zona të vogla në Siri dhe gjendet nën sulmin e çdo aktori tjetër të luftës civile siriane.
Sipas forcave të koalicionit, luftëtarët kurdë në terren zbuluan shtabin e Shtetit Islamik në Deir al-Zour dhe informuan forcat ajrore, që pas një planifikimi të kujdesshëm ndërhynë befasisht.
Milicitë kurde dhe arabe në terren thonë se, në momentin e sulmit mbi shtab, me dhjetëra luftëtarë të Shtetit Islamik po bëheshin gati të niseshin në betejë. Zyrtarë të ushtrisë amerikane thanë se sulmet e fundit konfirmojnë qëndrimin amerikan, se lufta për të çliruar Sirinë nuk ka mbaruar ende.
Top Channel