Forcat afgane të sigurisë i dhanë fund rrethimit 12-orësh të një hoteli luksoz në Kabul, ku mbetën të vrarë 6 civilë, mes tyre edhe një shtetase e huaj.
Shënjestra e sulmit ishte hoteli “Interkontinental” i kryeqytetit afgan, ku mbetën të vrarë edhe 3 nga sulmuesit. Në total, rreth 160 vetë u shpëtuan, pasi trupat afgane luftuan gjatë natës për të rifituar kontrollin e ndërtesës.
Agjencia afgane e lajmeve “Tolo” thotë se numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë sesa të dhënat zyrtare, duke cituar një gazetar që tha se kishin parë dhjetëra trupa brenda hotelit.
Linja ajrore afgane “Kam Air” i tha gazetarit lokal Bilal Sarwary se kishte 42 anëtarë të stafit të saj në këtë hotel, e një pjesë e tyre janë shtetas të huaj. 18 prej punonjësve të “Kam Air” rezultojnë të zhdukur dhe ekziston frika se mund të jenë vrarë.
Përgjegjësinë e sulmit e morën talebanët, që e kanë mësyrë hotelin “Interkontinental” edhe në vitin 2011. Në një deklaratë të cituar nga “AFP”, një zëdhënës i grupit të dhunshëm u shpreh se militantët e tij kishin ekzekutuar “dhjetëra pushtues të huaj dhe kukulla të tyre”.
Personat e armatosur mësynë katin e 6 të hotelit rreth orës 21:00 të së shtunës, në kohën kur klientët ishin ulur për të ngrënë darkë. “Në moment shpërtheu kaosi – tregon një i mbijetuar. – Njerëzit bërtisnin e vraponin, e disa shembeshin përdhe të shpuar nga plumbat”.
Agresorët lëvizën nga aty në të gjithë hotelin, e mësohet se disa njerëz të bllokuar në një dhomë kanë tentuar të zbrisnin nga ballkoni me çarçafë.
Forcat speciale afgane u ulën me helikopterë në çatinë e hotelit gjatë natës. Nga sa pohojnë raportet në media, ata kanë bashkëpunuar me trupa komando perëndimore për t’i dhënë fund rrethimit. Në mesin e personave të shpëtuar ka 41 të huaj. Të plagosurit, sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme janë 7.
Top Channel