Bashkia e Gjirokastrës, përmes kryetares Zamira Rami, njoftoi masat që do të pasojnë rekomandimet e Shërbimit Gjeologjik për pallatin e rrezikuar.
Ajo tha se vendimi i bashkisë parashikon vëzhgime në vijimësi të situatës dhe marrjen e masave paraprake sipas një plani afatshkurtër.
“Të merren masa inxhinierike emergjente për frenimin e avancimeve të fenomeneve të rrëshqitjes si dhe masa inxhinierike afatmesme për rritjen e qëndrueshmërisë së shpatit dhe rritjen e sigurisë në objektet inxhinierike. Të dhënat e monitorimit të ruhen dhe të analizohen periodikisht dhe nëse vihen re ndryshime të situatës që paraqesin rrezikshmëri për objektet të merren menjëherë masat për sigurimin e jetës së banorëve”, tha Rami.
Sipas vendimit që pritet të marrë sot miratimin e prefektit, do të ketë një fazë afatmesme ndërhyrjeje që do të stabilizojë çekulibrimin gjeologjik të shpatit të kodrës me mure mbrojtëse.
Bashkia nuk dha detaje rreth buxhetit të nevojshëm për këtë ndërhyrje dhe mundësive lokale për ta përballuar faturën e stabilizimit gjeologjik. Nuk është e qartë gjithashtu sa kohë do të kërkojë secila fazë ndërhyrjeje.
Bashkia nuk ka preferuar të reagojë rreth faktit që prokuroria ka nisur një procedim penal për dy zyrtarë të saj.
Top Channel