Theresa May kopjon Trumpin, “mur” në La Mansh kundër emigrantëve

18/01/2018 14:46

Qeveria e kryeministres Theresa May do të shpenzojë 45 milionë stërlina të tjera për të rritur masat e sigurisë nëpër porte, në të dyja anët e kanalit të La Manshit mes Anglisë dhe Francës.

Kjo shumë do të përdoret për ngritjen e gardheve të rinj prej hekuri, instalimin e kamerave me qark të shkurtër dhe vendosjes së teknologjisë me infra të kuqe, jo vetëm në portin Calais (Kalè) në Francë, por edhe në porte të tjera.

Ky do të jetë rezultati i parë i samitit mes presidentit francez Macron dhe kryeministres britanike Theresa May, që po zhvillohet në Britani. Ndërkohë, Britania do të angazhohet të pranojë më shumë emigrantë, veçanërisht nga porti Calais, e më konkretisht fëmijë të pashoqëruar, siç njofton BBC.

Edhe pse Britania edhe Franca pritet të ecin në korsi të ndryshme, pas daljes së pritshme të Britanisë nga BE-ja, duket se problemet e sigurisë kufitare janë me rëndësi të jashtëzakonshme për Britaninë në veçanti.

Gjatë fushatës së fundit presidenciale, presidenti Macron ishte për rinegociimin, madje edhe anulimin e marrëveshjes së vitit 2003 mes Tony Blair dhe Jacques Chirac, sipas së cilës emigrantët pa dokumente të ndaluar të hynin në Britani do të mund të qëndronin në Francë në kampet e ngritura enkas në portin Calais.

Pas Brexit, është në interesin e Britanisë të investojë për masa më të forta sigurie në Francë, pasi marrëveshja e Dublinit do të bëhej inekzistente dhe Britania do ta ketë më të vështirë të rikthejë emigrantët në vendet e para të sigurta, përpara se ata të mbërrijnë në ishull.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA