Spanjë e Portugali, qindra kg kokainë të fshehura në ananas

18/01/2018 09:03

Policia portugeze e ajo spanjolle sekuestruan qindra kilogramë kokainë të fshehur brenda frutave të ananasit, në një ngarkesë që vinte nga Amerika e Jugut.

Nëntë pjesëtarë të grupit të narkotrafikut kanë përfunduar në pranga, e përpos 745 kg të drogës së gjetur, forcat e Rendit kanë bastisur edhe një laborator të bandës në fjalë, i cili përdorej për të përpunuar lëndë narkotike.

Hetimi mbi aktivitetin e grupit ndërkombëtar kishte nisur prillin e vitit 2017, e pikërisht në kuadër të tij u kontrolluan kontenierët ku u gjet kokaina.

Sipas autoriteteve portugeze, rrjeti i drejtuar nga kolumbianët ka sjellë vazhdimisht sasi të mëdha kokaine në kontinentin e vjetër dhe u desh kohë për të zbuluar mënyrën sesi vepronin pjesëtarët e tij.

Në muajin nëntor, policia spanjolle zbuloi gati 400 kg kokainë në Madrid e Barcelonë. Pista e hetimeve të ndjekura aty çoi drejt një kompanie importi që sillte fruta nga Panamaja në Portugali, duke përfunduar me zbulimin e bujshëm të cilindrave të dyllosur e të fshehur brenda ananaseve.

Miliona dollarë drogë e paligjshme qarkullojnë çdo vit në mbarë globin dhe përpjekjeve të autoriteteve për të diktuar lëndët narkotike, trafikantët i përgjigjen me identifikimin e mënyrave të reja për kalimin e këtyre ngarkesave, pa rënë në gjurmët e policisë, e fruta-perimet nuk bëjnë përjashtim.

Në korrik, agjentët kufitarë amerikanë zbuluan metamfetaminë të fshehur mes kastravecëve, gushtin e vitit 2016 u kap një sasi e madhe marijuane e vendosur mes limonëve dhe një mënyrë edhe më kreative ishte ajo e vendosjes së drogës në karrota false.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA