Kinë, mbytja e naftëmbajtëses lë pas njollat e naftës

18/01/2018 08:33

Nafta e derdhur nga anija cisternë iraniane në detin e Kinës është ndarë në katër njolla të veçanta dhe ka mbuluar një sipërfaqe prej 100 kilometrash katrorë.

Anija Sanchi transportonte 136 000 ton naftë bruto ultra të lehtë kur u përplas me një tjetër anije, 260 km larg portit të Shangait, më 6 janar. Anija u dogj për një javë para se të fundosej të dielën. 32 anëtarët e ekuipazhit të saj u shpallën të vdekur, megjithëse vetëm tre trupa u gjetën. Autoritetet kineze lajmëruan se ndotja është shndërruar në një problem serioz, pasi nafta që anija transportonte dhe ajo që përdorte për të lëvizur mund të shkaktojnë një dëm të pakthyeshëm në det.

Problemi kryesor është nafta ultra e lehtë apo kondensat që anija transportonte, e cila është toksike, ka dendësi të ulët dhe është shumë më shpërthyese se nafta e zakonshme. Për më tepër, shumica e naftës kondensat është pa ngjyrë dhe krijon një njollë nënujore toksike që është thuasje e pamundur të shihet nga sipërfaqja.

Autoritetet kineze thanë se kanë angazhuar me dhjetëra ekipe ekspertësh për të vlerësuar, diktuar dhe ndaluar ndotjen nga nafta. Gjithashtu, robotët nënujorë do të zhyten atje ku u fundos anija Sanchi për të parë nëse nga depozitat e saj vazhdon ende të rrjedhë naftë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA