Plot 30 vite më parë, Margaret Thatcher pretendonte se shoqëria nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët. Tri dekada më vonë, trashëgimtarja e saj, kryeministrja Theresa May kaloi në veprim.
Për të parën herë, me nismën e Mayt është caktuar një ministër për Vetminë. Krijimi i një posti të tillë synon zbutjen e izolimit social, një problem nga i cili vuajnë sot rreth 9 milionë britanikë.
Detyra i është besuar Tracey Crouch, e cila do të drejtojë një grup ndërpartiak duke respektuar rekomandimin e bërë në raportin pas vrasjes së deputetes Jo Cox në vitin 2016, nga një ekstremist i djathtë.
Komisioni mbi çështjen e vetmisë mban të njëjtin emër me atë të ligjvënëses që kishte përjetuar edhe vet periudha izolimi. “Kjo është një çështje për të cilën Jo angazhohej me shumë pasion, – u shpreh Crouch, – dhe ne do ta nderojmë kujtimin e saj duke ndihmuar miliona njerëz të prekur prej këtij fenomeni në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.
Vetmia mund të prekë më shumë sesa thjesht cilësinë e jetës së një personi: studime të ndryshme kanë treguar se mundësia e një vdekjeje të parakohshme rritet te personat që jetojnë vetëm apo ndihen të vetmuar.
Një prej këtyre studimeve, i realizuar mbi 45 mijë njerëz të moshave 45 vjeç e lart, të cilët kishin pësuar apo rrezikoheshin prej sëmundjeve të zemrës, zbuloi se mundësia e vdekjes tek ata që jetonin vetëm ishte më e larte sesa tek ata që e ndanin shtëpinë me të tjerët.
Vështirësi të tilla mund të kenë edhe të rinjtë dhe anketimet e fundit tregojnë se, pikërisht përdoruesit më të etur të medieve sociale janë ata që kanë edhe nivelin më të lartë të izolimit social.
Top Channel