YouTube do të ashpërsojë kërkesat për publikuesit e videove që duan të bëjnë parà me këtë platformë.
Stafi i tij do të verifikojë me kujdes manualisht të gjitha videoklipet, përpara se ato t’i shtohen një shërbimi “premium”, i cili përdoret bashkë me reklamuesit e firmave të mëdha me përmbajtje popullore.
Kjo lëvizje pason një valë bojkotimi nga reklamues të rëndësishëm si dhe një blog të shumëdiskutuar, ku shfaqej viktima e një vetëvrasjeje.
Ekspertët mendojnë se reagimi i shërbimit në pronësi të “Google”-it është i vonuar, e thonë se në raste të ngjashme duhet vepruar më mirë e më shpejt. Nga ky moment, videoklipet nuk do të kenë më reklama të bashkangjitura, nëse publikuesi nuk përmbush më parë dy kritere: të ketë të paktën 1.000 persona të regjistruar dhe përmbajtja e tyre duhet të jetë parë nga të tjerët për më shumë se 4.000 orë gjatë 12 muajve të fundit.
Vitin e kaluar, Youtube u përball me një tërmet të mbiquajtur “apokalipsi”, kur vendosi që videove me disa tematika të caktuara të mos u lejohej përfshirja e publicitetit. Kjo erdhi si përgjigje ndaj faktit që më shumë se 200 firma të mëdha tërhoqën fushata, të cilat i përgjigjeshin shqetësimeve se reklamat e tyre mbërrinin te publiku me klipe ku gjente hapësirë gjuha e urrejtjes apo përmbajtje diskriminuese.
Top Channel