Policia franceze nisi kontrolle masive në disa impiante të menaxhuara nga kompania e produkteve të bulmetit “Lactalis”, si pjesë e një hetimi për qumështin e kontaminuar të bebeve.
Më shumë se 12 milionë kuti me qumësht pluhur janë tërhequr nga dyqanet në 83 vende, pas një epidemie salmonele.
Paditë penale nuk kanë munguar gjithashtu nga prindër që thanë se fëmijët e tyre u sëmurën pasi pinë këtë qumësht.
Veç selisë qendrore të “Lactalis”, policia kontrolloi edhe impiantin në Craon, në veriperëndim të Francës. Kjo fabrikë ishte mbyllur që muajin e shkuar, pasi dyshohet se pikërisht këtu nisi ndotja e qumështit në një prej kullave të saj të tharjes.
Mediet lokale raportojnë se hetuesit po kryejnë kërkime teknike për të dhëna dhe dokumente, veç përpjekjeve për të zbuluar si ndodhi kontaminimi i produkteve.
Një nga dyshimet është se kompania mund të kishte pasur dijeni për gabimin, por është përpjekur ta mbulojë, megjithëse askush nuk e konfirmon këtë. Vet kompania “Lactalis”, pasi siguroi se po bashkëpunon me hetimin dhe mohoi zërat se tentoi të fshehë ngjarjen, tha se dyshon që ndotja të ketë ndodhur gjatë rinovimit të fabrikës në Craon.
Qeveria franceze, pasi lajmëroi grupin “Lactalis” se do të penalizohet për menaxhimin e situatës, gjithashtu kërcënoi ashpër shitësit me pakicë, pas raporteve se produkte që mund të jenë të kontaminuara janë ende në raftet e shumë supermarketeve dhe dyqaneve.
Top Channel