Kryetari i Partisë Demokratike deklaron se Edi Rama është pengesa e fundit për integrimin europian të vendit. Basha përmendi kushtin kryesor për hapjen e negociatave, që Edi Rama, sipas tij nuk po e përmbush.
“Prej Edi Ramës nuk po luftohet krimi. Prej Edi Ramës nuk po vihen dot para drejtësisë edhe ata që janë kapur me presh në duar, si Sajmir Tahiri. Prej Edi Ramës nuk kapet “Eskobari i Ballkanit”, i cili bredh i lirë nga Tirana në Sarandë dhe nderohet në vend që të arrestohet nga policia dhe oficerët e korruptuar të policisë, që sot e kësaj dite ndodhen në kupolën e saj. Edi Rama është pengesa kryesore për Shqipërinë europiane. Për ambicien e tij, për pushtetin e tij, për frikën e tij, për lidhjet e tij me krimin, e ka bërë kurban Shqipërinë europiane.”- tha Basha.
Duke u ndalur tek situata e rendit, kreu i opozitës deklaroi se në rokadën mes Tahirit dhe Xhafajt, ka ndryshuar vetëm lloji i drogës që trafikohet.
“Europa ia ka bërë të qartë, se pa luftuar drogën, nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri në Europë. Ndërsa Edi Rama me Fatmir Xhafën, tallen dhe zëvendësojnë klanin e Habilajve me klanin e Agron Xhafajt. Me Edi Ramën, policia dhe krerët e policisë janë kthyer në trafikantë dhe shitës kokaine.”.
Pamjet nga takimet e Bashës në njësinë 7 në Tiranë i shpërndau për median Partia Demokratike.
Top Channel