Fshati i perimeve që sot jeton me emigracionin

15/01/2018 11:25

Humelica, një zonë traditcionale e kultivimit të perimeve vetëm 5 kilometra larg Gjirokastrës, nuk nxjerr pothuajse asgjë në treg.

Banorët thonë se vijojnë të jetojnë prej emigracionit dhe se nuk kanë lehtësira për vaditje, fara apo tregje.

Fshati që mori vendim të zhvendoset i gjithi nga një zonë kodrinore drejt luginës rreth 65 vjet më parë për të krijuar kooperativën e parë, sot e ka tkurrur në minimum ekonominë familjare.

Zona me 730 banorë nuk ka shkollë, ndërsa kopshti frekuentohet nga fare pak fëmijë. Blerinda, nënë e katër fëmijëve thotë se njerëzit nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Ata kultivojnë pak vetëm për nevojat e familjes, ndërsa shumica e të rinjve e kanë braktisur fshatin.

“Unë jetoj me 180 mijë lek me katër fëmijë. Nuk ja dal dot!”, thotë Blerina Sinani, banore e fshatit.

Baftjar Qëndro zbriti bashkë me familjen në luginë prej Malësisë së Kurveleshit rreth 20 vjet më parë për të lehtësuar jetën dhe të ardhurat, por asnjë prej fëmijëve të tij nuk punon më në fshat.

Vasil Marku, 84 vjeç dhe e shoqja Dhora, 78, pjesë e komunitetit arumun kanë një tufë të vogël me 10-12 krerë të imëta sa për të jetuar e për t’u marrë me diçka. Prindërit e tre djemve emigrantë thonë se jeta është shumë e vështirë pa të rinjtë, por mundësitë që ata të kthehen janë të pakta.

“Këtu në këtë zonë merret kush me blegtori, kush me bujqësi nga pak”, tregon Vasili.

“Nuk ka kush të punojë tani. Ata kanë ikur!”, thotë Dhora.

Për shkak të cilësisë së lartë të tokës dhe afërsisë me qytetin, kjo zonë kultivonte dhe furnizonte dikur me grurë, misër, tërshërë dhe sidomos perime të paktën dy qytete në rajon. Sot çdo familje ka dikë në emigracion, ndërsa dhjetëra familje i kanë shtëpitë të mbyllura prej vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA