Kinë, gjenden dy viktima dhe kutia e zezë e anijes në flakë

13/01/2018 17:05

Ekipet e emergjencave mundën më në fund që të ngjiten në bordin e anijes çisternë iraniane, e cila ende po digjet përballë brigjeve të Kinës.

Pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit mundën që të gjenin trupat e dy prej 32 marinarëve të shpallur të humbur, para se tymi i dendur dhe temperatura e lartë t’i detyronte që të braktisnin anijen.

Dy viktimat u gjetën brenda një varke shpëtimi, të cilën me sa duket nuk mundën ta ulin në det për të shpëtuar.

Ekipet e emergjencave morën gjithashtu kutinë e zezë të anijes, e cila mori flakë pas përplasjes me një anije mallrash të shtunën e shkuar.

Deri tani, autoritetet kineze kanë gjetur vetëm 3 trupa, nga 32 marinarët që ishin në anije, e cila po transportonte nga Irani drejt Koresë së Jugut 136 mijë tonë kondensat, një formë ultra e lehtë nafte bruto.

Pasi morën kutinë e zezë të anijes, ekipet e shpëtimit u përpoqën të shkonin te kabinat e ekuipazhit, por kur temperatura arriti 90 gradë u detyruan të tërhiqen. Për më tepër, ndryshimi i drejtimit të erës e bëri shumë të rrezikshëm qëndrimin e tyre mes tymit toksik.

Veç rrezikut që paraqet tymi dhe zjarri në anije, kjo e fundit vazhdon të lëvizë si pasojë e rrymave detare dhe erës. Nuk dihet ende shkaku i përplasjes së dy anijeve dhe kanë nisur hetimet për ta zbuluar këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA