Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar sërish një tërmet të vërtetë, pasi u raportua se kishte përdorur një gjuhë të ashpër për të përshkruar Haitin, El Salvadorin dhe vendet afrikane.
Sipas raporteve, ai i quajti këto “vende gjirizi” në një takim në Shtëpinë e Bardhë, gjë që ndezi një reagim ndërkombëtar dhe e detyroi Trumpin më pas t’i mohonte ato. Sidoqoftë, senatori demokrat Dick Durbin tha se ai e kishte dëgjuar Trumpin të përdorte një gjuhë raciste.
Pas zhurmës së shkaktuar mbi komentet e tij, Trump në një postim në “Twitter” tha se gjuha e tij në takim ishte e ashpër, por jo ashtu siç u raportua në media.
Komentet e shumëpërfolura janë bërë në një takim me ligjvënës republikanë dhe demokratë në Shtëpinë e Bardhë, që kishte si qëllim arritjen e një marrëveshjeje mbi emigracionin.
Trump raportohet t’u ketë thënë atyre se, në vend që t’u jepnin rezidencë të përkohshme qytetarëve të vendeve të goditura nga katastrofat natyrore, luftërat apo epidemitë, SHBA-të duhet të pranojnë emigrantë nga vende si Norvegjia.
“Përse ne pranojmë që njerëz nga këto vende gjiriz të vijnë këtu?”, citohet të ketë thënë ai. Sidoqoftë, reagimet ishin të panumërta.
Bostvana thirri ambasadorin amerikan për t’i shprehur pakënaqësinë, për ato që i quante komente të papërgjegjshme dhe raciste. Unioni Afrikan tha se ishte i alarmuar nga deklaratat e Trumpit, ndërsa Kombet e Bashkuara nënvizuan se nuk kishte asnjë fjalë tjetër për t’i etiketuar komentet e presidentit amerikan, përveçse raciste.
Edhe në SHBA, reagimet nga organizata dhe ligjvënës kanë qenë të shumta. Ndërkohë, komentet e Trumpit nuk kanë kënaqur as të preferuarit e tij, norvegjezët, që në mediet sociale janë shprehur masivisht se nuk kanë përse të shkojnë në SHBA, kur jetojnë në një vend me kujdes shëndetësor të kënaqshëm, edukim falas, 5 javë pushime në vit dhe 8 orë pune në ditë.
Top Channel