“Djali prej akulli” ndez debate në Kinë për varfërinë

11/01/2018 21:04

Një nxënës kinez 8-vjeçar, i quajtur nga përdoruesit e medies sociale “Djali prej akulli”, pasi një foto e tij ndërsa arrinte në shkollë me duart e enjtura nga i ftohti, me flokët dhe qerpikët e ngrirë, i veshur me një xhup të hollë, qarkulloi në rrjet dhe ka ndezur debatin për varfërinë në Kinë.

Shumë përdorues të rrjetit social thonë se fotoja e Wangut të vogël, që u bë virale në rrjet, nënvizon se nuk po bëhet aq sa duhet për të ndihmuar fëmijët e familjeve të varfra, rurale, në Kinë. Ata shprehin simpati për udhëtimet e vështira, me të cilat Wangu i vogël përballet me qëllim që të arrijë në shkollë.

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve thotë se djaloshi ecën 4.5 km për të arritur në shkollë, një udhëtim ky që i merr atij një orë. Ditën në të cilën është shkrepur fotoja, temperatura ishte -9 gradë Celsius.

Një tjetër foto që është shpërndarë me mijëra herë tregon se Wangu i vogël kishte marrë 99 nga 100 pikët e mundshme në një test, pavarësisht duarve të tij të enjtura. Ka qenë mësuesi i Wangut, ai që ka bërë fotot dhe më pas ia kishte dërguar drejtorit të shkollës. Por shumë shpejt, ato foto u vunë në vëmendjen e medieve, fillimisht atyre lokale, e më pas edhe atyre kombëtare dhe u bënë virale në rrjetet sociale.

Me mijëra përdorues të rrjetit në Kinë i shpërndajnë fotot duke përdorur “hashtag”-un #IceBoy. Reagimet nuk kanë munguar me shtetin, por edhe me individë që kanë kontribuar për Wangun e vogël, sikurse edhe shkollën e tij. 8-vjeçari, sipas medieve kineze është një nga ata që quhen “fëmijë të lënë pas”. Bëhet fjalë për miliona fëmijë kinezë, që rrallëherë i shohin prindërit e tyre, të cilët i drejtohen qyteteve për të gjetur një vend pune, me të cilën do të mbajnë familjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA