Kriza e mbeturinave, Italia rrezikon sanksione nga BE-ja

10/01/2018 18:49

Italia mund të përballet me sanksione nga Bashkimi Europian, nëse autoritetet në Romë dhe më gjerë në rajonin e Lacios nuk arrijnë të çlirohen nga kriza e mbeturinave që vazhdon prej javësh.

Ministri italian i Ambientit, Gian Luca Galleti fajësoi mungesën e një plani të përshtatshëm në kryeqytet, pasi ofertat për ndihmë nga rajonet e Emilia Romagnas dhe Abruzzos u hodhën poshtë nga administrata e Romës, e udhëhequr nga kryebashkiakja e “Lëvizjes 5 Yjet”, me pretekstin se ishin shumë të kushtueshme.

“Një plan i plotë për sistemimin e mbeturinave në Romë është i domosdoshëm, menjëherë, përndryshe situata do të bëhet shumë serioze dhe ekziston rreziku i ndërhyrjes së BE-së”, tha Galleti.

Paralajmërimi i tij vjen ndërsa media italiane raportoi se Brukseli po i mbante sytë hapur mbi situatën, për të garantuar respektimin e rregullave të BE-së për depozitimin e mbeturinave.

Për momentin, sipas BE-së nuk ka ende shenja të shkeljes së këtyre rregullave, por Komisioni Europian do të vijojë të monitorojë situatën. Në vitin 2010, Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi që Italia kishte shkelur direktivën, pasi male mbeturinash mbushën rrugët e Napolit në 2008-n.

Roma ndërkohë përndiqet nga kriza e mbeturinave, me situatën të bërë edhe më emergjente gjatë festave të fundvitit. Disa pjesë të kryeqytetit janë pastruar, por në zonat më periferike, koshat e plehrave janë të tejmbushur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA