Apple ka thënë se të gjithë iPhone-t, iPad-et dhe kompjuterat Mac janë prekur nga dy probleme të rëndësishme me chip-et komputerike.
Më herët këtë javë u bë e ditur se kompanitë teknologjike po përpiqen të zgjidhin problemet që mund t’i lejojnë hakerave vjedhjen e të dhënave. Apple tha se ka hedhur në qarkullim disa udhëzime për mbrojtjen, por nuk ka të dhëna se vulnerabiliteti është shfrytëzuar. Sidoqoftë kompania ka këshilluar shkarkimin e software-ve vetëm nga burime të besueshme, në mënyrë që të evitohen aplikacionet e dëmshme. Përdoruesit e kompjuterave Mac, shpesh besojnë se aparaturat dhe sistemet e tyre operative janë më pak vulnerabël ndaj çeshtjeve të sigurisë se sa psh. telefonat Android apo kompjuterat që përdorin sistemet Microsoft.
Por, problemet e fundit të pikasura janë zbuluar në të gjithë njësitë moderne të procesorëve kompjuterikë apo microchip-at e prodhuar nga Intel dhe ARM dhe të dyja firmat ofrojnë thujase të gjithë furnizimin për tregun global kompjuterik. “Të gjithë sistemet Mac dhe aparaturat iOS janë të prekura, por nuk ka të dhëna për shfrytëzim të situatës në dëm të konsumatorëve deri më tani”, tha Apple në një postim.
Ky problem, sipas kompanisë, prek të gjithë procesorët modernë dhe thuajse të gjitha aparaturat kompjuterike dhe sistemet operative. Më herët, edhe Google dhe Microsoft kanë lëshuar deklarata, në të cilat i tregojnë përdoruesve se cilat produkte janë prekur nga problemet më të fundit. Google tha se telefonat e saj Android që përbëjnë më shumë se 80 për qind të tregut, janë të mbrojtur nëse përdoruesit kanë bërë updatet më të fundit të sigurisë. Dhe Microsoft, po ashtu ka marrë disa masa për pjesën më të madhe të shërbimeve të tij.
Top Channel