Libri për Trump. Prapaskenat e fitores sipas një gazetari

04/01/2018 10:49

Donald Trump u trullos edhe vetë nga fitorja në zgjedhjet presidenciale. Ceremonia e betimit nuk i pëlqeu aspak dhe Shtëpia e Bardhë e frikësonte.

Libri i gazetarit Michael Wolff me titull “Zjarr dhe tërbim brenda Shtëpisë së Bardhë të Trumpit” sjell 10 pretendime shpërthyese, ku përfshihen edhe ambiciet e fshehta të Ivankës për të marrë një ditë në duart e saj frerët e presidencës.

Libri raportohet të jetë mbështetur në më shumë se 200 intervista, por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi menjëherë se ai është i mbushur me informacione të pavërteta dhe çorientuese.

Autori pretendon se ka qenë në gjendje të sigurojë një lloj vendi gjysmë të përhershëm në një poltronë të West Wing pas betimit të Presidentit, për t’i hedhur një vështrim nga afër administratës së re. Ai thotë se ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Banon, e konsideronte takimin mes Donald Trump Jr. dhe një grupi rusësh si tradhti. Këtij pretendimi, Trump iu përgjigj duke thënë se Banonit i iku mendja pasi humbi vendin e punës.

Sipas Wolff, as Trump vetë nuk e priste që do të fitonte zgjedhjet dhe kur triumfi i tij u konfirmua, ai kishte marrë pamjen e një fantazme. Gjatë ceremonisë së betimit ishte nervoz e i zemëruar dhe gjithë kohën grindej me të shoqen, e cila mezi i mbante lotët. Miliarderit njujorkez, Shtëpia e Bardhë i dukej e frikshme. Ai dhe Melania qëndrojnë në dhoma të ndara, e para herë që ndodh kjo që prej kohës së Kennedy, dhe ka kërkuar që derës së vet t’i vihej shul.

Dhëndrri i tij Kuschner, këshilltar i lartë i Presidentit, nuk e di as vetë se cilat janë prioritetet e kësaj qeverie. Trump, vazhdon libri, ka një admirim të thellë për manjatin Rupert Murdoch, por kjo nuk është aspak reciproke, sepse ky i fundit e ka quajtur idiot republikanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA