Viti i Ri, 60 familje të komunitetit rom marrin shtëpitë e tyre të reja në Lanabregas

31/12/2017 13:47

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNDP-në, përfundoi ndërtimin e 60 banesave pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas, të cilat sot, në ditën e fundit të vitit, u janë dhuruar 60 familjeve të komunitetit rom.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu dhe Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams, u dorëzuan shtëpitë e reja 60 familjeve të komunitetit rom dhe shpërndanë pako me ushqime me rastin e Vitit të Ri.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që ky projekt përfundoi brenda një kohe të shkurtër, ndërsa falenderoi të gjithë ata që kontribuuan që edhe këto familje ta kalonin Vitin e Ri në një strehë të re. “Jam shumë i lumtur sot, që pas një pune të gjatë dhe fantastike nga të gjithë kolegët, kemi bërë zhvendosjen e komunitetit rom nga situata e vështirë te Bregu i Lumit, në një banesë shumë dinjitoze në Lanabregas”, tha Veliaj. Ai theksoi se ndërtimi i këtyre shtëpive është një premtim i mbajtur, e shtoi se ajo që mbetet sfidë për të gjitha institucionet është integrimi i tyre.

“Për ne është jetike që ta mbajmë fjalën. E kishim premtuar që Viti i Ri do t’i gjente këto familje në shtëpi të reja. Është e rëndësishme që komuniteti të mos ndihet si mish i huaj, por të përqafohet nga të gjithë fqinjët. Besoj se kemi nevojë për këtë lloj integrimi”, tha Veliaj. Ai u shpreh se standardi i vendosur në ndërtimin e këtyre banesave në Lanabregas do të ndiqet edhe në projektet e tjera sociale të Bashkisë Tiranë, siç është edhe ai i banesave në Shkozë.

Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe gjitha institucionet e tjera që mundën të ralizojnë këtë projekt që i jep zgjidhje problemit të një prej komuniteteve më të vuajtura në vend. “Kjo është një ditë e gëzueshme. Komuniteti nga Bregu i Lumit ka pasur kushtet më të vështira të jetesës në Shqipëri. Ata kanë bërë një rrugë të gjatë për të mbërritur në këto shtëpi. Shprehim lëvdatat tona për Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financës, OSSHE, komunitetin e Lanabregasit dhe Shkozës, veçanërisht për imamin, kryeplakun, OKB, BE-në, OSBE-në, OJQ-të rome, por mbi të gjitha për këtë komunitet të guximshëm rom. Urime për shtëpitë tuaj të reja”, u shpreh ambasadori i SHBA-së, Donald Lu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA