Në Gjirokastër ka një rritje të lehtë të çmimeve. Për disa artikuj kryesorë, shtrenjtimi është me 20%, por qytetarët që ndalojnë të flasin në rrugë thonë se festa është festë dhe se kanë kursyer për këtë ditë.
“Përgatitjet do të bëhen si gjithmonë. Përgatitet një tavolinë siç e do vetë njeriu. Festa do të bëhet sipas mundësive”, thonë qytetarët.
Ndërsa një shitëse thotë: “Çmimet janë njësoj si përditë. Spinaqi është rritur pak. Çmimet janë jashtëzakonisht të lira, por njerëzit nuk kanë, blejnë me pakicë”.
Vlora është gjallëruar këto ditë nga fuqia blerëse e shtuar me ardhjen e emigrantëve. Por, edhe ata që nuk kanë mundur të vijnë në shtëpi, janë prindërit që ua dërgojnë ushqimet tradicionale me linjat e transportit. Ndër këto produkte janë gjeli i detit dhe vaji i ullirit.
“Çmimet janë shumë të arsyeshme, sidomos në këtë periudhë që kanë ardhur dhe emigrantët. Ato çmime që kanë qenë dhe vitin e kaluar janë”, thonë në Vlorë.
Pranë Myzeqesë, nga ku vijnë edhe prodhimet më të shumta që shtrohen në tryezat tona, në tregun e shumicës në Lushnje, tregtarë e fermerë ankohen për çmimet.
“Janë pak më shtrenjtë sepse është rritur çmimi te prodhuesi”, thotë një tregtar.
Ndërsa një tjetër shprehet: “Për ne që i prodhojmë dhe i shesim, çmimet janë shumë lirë”.
Në Fier, qytetarët do ta festojnë në shtëpi Vitin e Ri, ndërsa të paktë janë ata që kanë prenotuar të festojnë në lokale. Sa për çmimet, tregtarët ankohen se në ditët e fundit të vitit nuk po arrijnë të shesin as gjelat.
“Krahasim me vjet, shumë dobët. Nuk ka fuqi blerëse. Nuk ka treg. I rrisim vetë gjelat dhe në fund dalim me humbje”, tregojnë në Fier.
Festat e fundvitit kanë sjellë gjallëri në tregjet e Shkodrës. Shumë njerëz thonë se do ta festojnë në shtëpi dhe sa për çmimet, nuk ka ndryshim me vitet e kaluara. Tregtarët janë ata që kanë pritur më shumë.
Entuziazmi i blerjeve të festës së fundvitit është momenti kur tregtarët presin për të fituar diçka më shumë. Edhe ata vetë duan të festojnë me diçka më shumë në tryezë. Por, duket se dëshirat dhe realiteti nuk përputhen as në këtë fundvit.
Por, ajo që duket se nuk mungon në rrugët e Shkodrës, ashtu si në qytetet e tjera të Shqipërisë, është një atmosferë dhe një ritëm që nuk vihet re gjatë ditëve të tjera të vitit.
Top Channel