Në prag të festave të fundvitit anëtarët e Qeverisë janë shpërndarë në disa prej institucioneve që trajtojnë kategoritë në nevojë.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë ishte pranë personave të moshës së tretë në një drekë të shtruar enkas për ta. Pjesë e atmosferës festive ishte edhe stafi i Shtëpisë së të Moshuarve, i cili është argëtuar bashkë me ta.
Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi ishte pranë fëmijëve dhe të moshuarve të familjeve që u përmbytën para një muaji nga Lumi Osum dhe që tani strehohen në qendrat e përkujdesit në Poliçan e Berat. Sipas Klosit, Qeveria do të vijojë traditën e organizimit të festave çdo vit në qendrat e kujdesit në Berat.
Ministrja Xhaçka zgjodhi të festojë me më të vegjlit e Shtëpisë së foshnjes “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, të cilëve u shpërndau dhurata. Për spektatorët e vegjël pati edhe një shfaqje me animatorë dhe personazhet e tyre të dashur.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte në Shtëpinë e Fëmijës Zyber Hallulli, ku u shpërndanë dhurata e ku ishte përgatitur edhe një koncert nga fëmijët e kësaj qendre.
‘Ju premtoj që do të vazhdojmë të angazhohemi maksimalisht që ju të bëheni artistë shumë të mirë, siç e keni filluar”, tha ministrja Manastirliu.
Në aktivitetin kombëtar ‘Festat duan dashuri’ u përfshinë 28 institucione të përkujdesit social në të gjithë vendin.
Top Channel