Përmbytet Laboratori i Tokës; shkon dëm investimi 8 mln lekë i Qeverisë

27/12/2017 19:56

I vetmi laborator ku bëhen analizat e tokës për të gjithë territorin e vendit ka dalë jashtë përdorimit.

Shirat e disa ditëve më parë përmbyten godinën e Qendrës së Transformimit të Teknologjive Bujqesore, ku është vendosur ky laborator, duke dëmtuar pajisje dhe gjithçka mbante brenda.

Investimi i fundit i Qeverisë në këtë laborator kapi vlerën e 8 milionë lekëve, por duke qenë unik në vend, laboratori ka përfituar edhe financime të huaja, si psh nga USAID.

“Laboratori bënte analiza për 40 tregues, për fermerë, për plehra kimike, për materiale biologjike dhe ushqim blegtorial. I gjithë laboratori i katit të parë është jashtë shërbimit”, thotë Miranda Huta, shefe e Laboratorit.

Laboratori është zhvendosur në godinën ekzistuese në vitin 2008, ku u bashkuan në një qendër Instituti i Tokave dhe Ujit, Instituti i Zooteknikës dhe ai i Foragjereve. Por, që në atë kohë kjo godinë nuk ofronte ambiente të përshtashme për një laborator të tillë.

Sa herë ka rënë shi, kati në të cilin ndodhet laboratori është përmbytur dhe uji ka shkuar deri në 30 cm. Por këtë radhë, uji mbërriti në mbi një metër e gjysmë, ndaj pajisjet këtë herë u shkatërruan të tëra. Uji përfshiu edhe arkivën teknike të laboratorit.

Ky laborator së fundmi kishte lidhur një marrëveshje dhe me projektin TAP, i cili sjell mostra të tokës që duhet të rehabilitojë pas shtrimit të tubacioneve. Por, momentalisht kryhet vetëm një numër i vogël i analizave deri kur të lëvrohen fonde të tjera.

Punonjësit e qendrës së transformimit te teknologjive bujqësore po bëjnë çmos për të pastruar baltën, që ka mbetur edhe 1 muaj pas përmbytjes.

Laboratori do të kërkojë të tjera financime për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme. Por çështja e përmbytjes së tij sa herë që bie shi do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje afatgjatë dhe përfundimtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA