Bullgaria, një shtet edhe vetë me probleme të shumta, sidomos në lidhje me sundimin e ligjit, merr nga 1 janari kryesimin e Bashkimit Europian.

Sfidat për të janë të mëdha: Sofjen e presin çështje të ndërlikuara si negociatat e Brexit-it, kriza e refugjatëve dhe përgatitja e kornizës financiare për periudhën deri në vitin 2020. Në mesin e detyrave të shumta megjithatë është përpjekur të gjejë një temë të sajën ku do të fokusohet në 6 muajt e ardhshëm të cilën e ka përvijuar tashmë: bëhet fjalë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku Bullgaria mund të luajë një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi e për këtë qëllim, planifikon të mbajë dhe një samit të jashtëzakonshëm të bllokut në 17 maj të vitit 2018.

Socialdemokrati gjerman Gernot Erler, ish-Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme dhe kryetar i Forumit gjermano-bullgar, pohoi për “Deutsche Welle” se Sofja do të angazhohet fuqishëm për Ballkanin Perëndimor dhe politikën e zgjerimit dhe integrimit. Sipas tij, ekziston një perspektivë pozitive për raporte të mira bilaterale në rajon.

Por, ish-kryetari i Parlamentit Europian, Hans-Gert Pöttering, i cili është jozyrtarisht edhe këshilltari kryesor i qeverisë bullgare lidhur me këtë presidencë të radhës, tregohet më i kujdesshëm. Ai mendon se mesazhi kryesor për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë “nuk mund të anëtarësoheni shpejt, duhet të reformoheni, të luftoni korrupsionin dhe të siguroni sundimin e ligjit”. Si shpërblim, mund të kenë lehtësira për uljen e tarifave të “roaming”-ut, në fushën e digjitalizimit e ndoshta edhe në trajtimin nga vendet tjera të BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA