Pas 1 shkurtit do të fillojë aksioni për verifikimin dhe formalizimin e konsumatorëve të ujit të pijshëm derë më derë.
Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri i është drejtuar përmes një shkrese zyrtare të gjitha bashkive të vendit, ku i kërkohet që të përgatisin planin e veprimit në terren dhe planin e masave për mbledhjen e faturave të papaguara të ujit të pijshëm. Këto plane duhen dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizmeve në javën e parë të janarit. Për çdo bashki, qeveria do të ofrojë edhe asistencë me stafe teknike.
Gjiknuri kërkon po ashtu që gjatë kësaj periudhe të sensibilizohen qytetarët me qëllim formalizimin e lidhjeve të paligjshme dhe të jenë gati kontratat dhe baza materiale.
Ndërkohë që brenda vitit ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve duhet që të rishikojnë tarifat e lidhjes së kontratave të furnizimit me ujë, duke marrë në konsideratë lehtësirat që mund të bëhen. Po ashtu, ujësjellësave u kërkohet analiza e kostove duke ndarë pjesën administrative dhe kosto për vendosjen e matësit.
Aktualisht, vetëm 1/3 e ujit që konsumohet në Shqipëri paguhet, pjesa tjetër është e ndarë në mënyrë të barabartë mes humbjeve në rrjet dhe vjedhjes. Një muaj më parë, ministrisi i Infrastrukuturës kërcënoi ujësjellësat që nuk performojnë mirë me ndërprerje të financimeve dhe masat mund të jenë deri ekstreme, administrim nga shteti duke ia hequr nga duart bashkive.
Top Channel