Gjykata liron protestuesit, detyrim paraqitjeje për 6 persona

21/12/2017 13:30

Gjykata e Tiranës liroi nga paraburgimi 6 të arrestuarit në protestën e opozitës të hënën e kaluar.

Me kërkesë të prokurorisë, për 6 protestuesit e akuzuar për goditje për shkak të detyrës ndaj forcave të policisë, gjykata vendosi masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” një herë në muaj pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Ndërkohë, asnjë nga të akuzuarit, 3 prej të cilëve ishin nga Lushnja, 2 nga Kavaja dhe një nga Shkodra, nuk i pranuan akuzat, duke deklaruar se nuk kishin goditur punonjësit e policisë dhe se ishin ndaluar teksa ktheheshin në shtëpi.

Procesi u ndoq nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, i shoqëruar nga deputetët Genc Pollo e Myslim Murrizi. Pas procesit, deputeti Murrizi e cilësoi këtë proces të motivuar politikisht.

“Është një proces i turpshëm politik. I bëj thirrje ministrit të Brendshëm sepse këta persona nuk janë arrestuar në kushtet e flagrancës dhe pa firmën e prokurorit, por me urdhër të një shërbëtori mjeran, Ilir Nerguti. Dhe sot, prokurori dhe gjyqtari ishin në siklet të zbatonin ligjin apo urdhërin politik”, tha Murrizi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA