Një tjetër “ish” në Facebook lëshon alarmin mbi efektet negative që po i shkakton shoqërisë rrjeti social më i madh në botë.
Chamath Palihapitiya, ish-zv.President në sektorin e rritjes së përdoruesve thotë se ndjehet fajtor për kontributin që ka dhënë në rritjen e Facebook.
“Është një platformë që nuk të ofron asnjë hapësirë për një diskutim qytetar, sepse bazohet tek keqinformimi dhe misticizimi i së vërtetës. Praktikisht, mendoj se kemi ngritur një platformë që bën copë e thërrime shoqërinë dhe mënyrën sesi ajo funksionon”, deklaroi ai.
Më herët, ka qenë ish-Presidenti i Facebook, Sean Parker që e quajti platformën “një monstër që po shkatërron shoqërinë, e sidomos të rinjtë e fëmijët”.
“Në hapat e parë pyetja që i bënim gjithmonë vetes ishte: si t’u konsumojmë sa më shumë kohë dhe t’u tërheqim vazhdimisht vëmendjen përdoruesve? Kjo do të thotë se duhet të shpiknim një platformë që herë pas herë lëshon pak dopaminë përmes aktiviteteve në të, si pëlqimi i një fotoje, statusi, apo bërja e një komenti e kështu me radhë”, thotë Parker.
Parker u bë i famshëm në qarqet “hi-tech” me shërbimin e ruajtjes dhe shpërndarjes së të dhënave, Napster. Roli i tij në ngritjen e Facebook ka qenë i madh. Në filmin “Social Network”, ku Parker luhet nga Justin Timberlake, është ai që prezanton idenë e Mark Zuckerberg përpara investitorëve të fuqishëm.
Top Channel