Emisioni “Fiks Fare” edhe mbrëmjen e sotme ka vazhduar vëzhgimin në spitalet rajonale të vendit ku është shqetësuese mungesa e mjekëve specialist dhe kushtet në të cilat ndodhen këto institucione shëndetësore.
Pas spitalit të Gjirokastrës, Sarandës, Tepelenës dhe Peshkopisë vëzhgimi ushtri edhe në disa qytete të tjera.
Spitali i Kolonjës rastet e rënda i trajton “kokë a pil”
Mungesa e mjekëve specialist në spitalin e Kolonjës prej vitesh është prezentë.
Drejtoresha e Spitalit të Kolonjës, Fatime Malushi shprehet se janë të shumtë në numër mjekët specialist që mungojnë në këtë spital. Neurolog, pediatër, kardiolog dhe kirurg u bë kohë që ky spital nuk i ka në bordero. Ajo sqaron se për rastet e rënda zgjidhja e vetme është bashkëpunimi midis kolegësh për t’i dhënë një zgjidhje pacientit ose i dërgojnë në Spitalin e Korçës. Për sa i përket ambulancave znj. Malushi rrëfen se janë pajisur me një ambulancë të re, por ambulanca që shërben për zonat malore nuk është në gjendje të mirë. Ajo shton se mjetet për të realizuar një operacion janë shumë të vjetra edhe pse mundohen t’i pastrojnë, gjithsesi mbeten të vjetra.
Korça pa anestezist, specialitetet e tjera ndihmë mjekëve pensionist
Pas nuk mbetet as spitali rajonal në Korçë, ku problemi kryesor gjatë këtyre viteve është mungesa e anestezistit. Nëndrejtori i spitalit të Korçës, Agron Kurra e pohon një gjë të tillë dhe konfirmon që aktualisht ky spital ka vetëm një mjek anestezist që u përgjigjet edhe urgjencave. Në specialitete të tjetra mungojnë mjekët, neurolog dhe kirurg, por sipas nëndrejtorit janë munduar që disa prej tyre t’i mbulojnë me mjek pensionist.
Devolli pa mjek e pa ambulancë
Në spitalin e Devollit problemi më kryesor përpos mungesës së mjekëve specialist është mungesa e një ambulance. Sipas drejtorit të këtij spitali, Petrika Lame, ata kanë vetëm një autoambulancë, por është në gjendje të amortizuar. Edhe këtu mjekët që mungojnë nuk janë të pakët. Ne spitalin e Devollit nuk ka okulist, neurolog, nefrolog dhe ORL.
Spitali Librazhdit: Pacientët urgjent për Tiranë, sorollatje të kota në spitalin rajonal
Në një tjetër spital të vendit tonë, në atë të Librazhdit qëndron një tjetër problem kryesor, ai i bashkëpunimit midis spitaleve. Nëndrejtori i spitalit, Avni Marta shprehet se duhet të dëgjohet zëri i spitalit të Librazhdit, pasi ky është një spital bashkiak dhe kjo bën që ata të hasin probleme. Sipas tij, nëse mjekët e spitalit të Librazhdit konstatojnë se një pacient duhet të ndiqet me mjete më të specifikuara, si rregull spitali bashkiak duhet ta dërgojë pacientin në spitalin rajonal, pra në këtë rast në spitalin e Elbasanit dhe kjo do të ishte thjesht humbje kohe për shëndetin e pacientit. Drejtori shprehet se spitali i Elbasanit ka të njëjtat mjete si ai i Librazhdit ndaj do ishte më mirë që në rregullore të ishte që spitali i Librazhdit ta dërgonte menjëherë pacientin në Tiranë.
Lezha pa neurolog, shërbimin e kryen një mjek pensionist
Në strukturën e spitalit të Lezhës duhet të jenë 46 mjekë, ndërkohë janë 40 dhe disa prej tyre janë mjek pensionist. Këtë e konfirmon për emisionin “Fiks Fare” edhe drejtori i këtij spitali, Pashko Smaci. Sipas tij, spitali ka mungesë të mjekëve, neonat, anestezist dhe një kirurg. Mungesë tjetër është në repartin e neurologjisë, pasi ka vetëm një neurolog i cili është mjek pensionist. Drejtori shton se ky mjek punon vetëm 4 orë, dhe nuk mund të ndjek shtrimet dhe për këtë ata detyrohen që të sëmurët t’i transferojmë në spitalin e Shkodrës.
Top Channel