Kompanitë e sigurimit janë dakort për një nismë ligjore, e cila do ta bënte të detyrueshëm sigurimin vjetor të të gjitha banesave ndaj katastrofave natyrore.
“Po kërkohet të bëhet në Shqipëri, kur në të gjithë botën është bërë shumë herët, pra s’po bëjmë diçka të veçantë, është diçka që ekziston dhe modelet janë”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i SIGAL, Avni Ponari.
“Në këtë moment sigurimi i detyrueshëm i pronave është në një fazë emergjente dhe e falenderojmë kryeministrin për këtë nismë”, shtoi Presidenti i EuroSig, Kadri Morina.
Por në Shqipëri mjaft shtëpi janë ndërtuar në zona me rrezikshmëri të lartë, si afër lumenjve dhe pas legalizimit disponojnë certifikata pronësie. A mund të sigurohen banesa të tilla dhe nëse po, me çfarë prime sigurimi?
Avni Ponari thotë se nëse shteti ka dhënë tapitë, banesat do të sigurohen, por sigurisht që çmimi nuk mund të jetë i njëjtë si për një shtëpi me rrezik të ulët.
“Duke kalkuluar primin mbi bazën e zonave, atëherë dhe mbulimi do të bëhet mbi bazën e zonave, sepse çdo zonë do të ketë një vlerë të caktuar të primit të vet”, sqaron Ponari.
Kurse Kadri Morina është i mendimit se këto banesa duhet më parë të plotësojnë disa kushte.
“Në një banesë që është ndërtuar, do të shkojë kompania e sigurimit me specialistët dhe do të vendosë kushte për sigurimin, si do të ndërtosh argjinaturë para shtëpisë, do të bësh këtë apo atë, për arsye se kompania e sigurimit është për një moment të caktuar, për një ngjarje aksidentale dhe jo për atë që ti e ke shkaktuar me dashje për një shtëpi që e ke ndërtuar pothuajse buzë lumit”, thotë Morina.
Kadri Morina thotë se kosto vjetore për çdo shtëpi mund të jetë rreth 50 euro.Avni Ponari thotë se çmimet do të uleshin në rreth 20-30 euro në vit, nëse sigurimi do të ishte masiv.
Aktualisht në Shqipëri sigurimi është i detyrueshëm vetëm për automjetet, kurse nisma për sigurimin e detyrueshëm të banesave, që gjen mbështetjen e kompanive të sigurimeve aq sa të përshëndesin Kryeministrin, shtron një pikëpyetje të madhe: Ç’do të ndodhë me ato shtëpi që nuk plotësojnë kushtet teknike për t’u siguruar? Ajo që kuptohet qartë është se kompanitë e sigurimeve do të jenë mjaft strikte me kriteret, atëhere kush do t’i dëmshpërblejë ata banorë në rast katastrofash?
Nëse sigurimet nuk e bëjnë, a do ta bëjë qeveria? Apo ligji për sigurimin e detyrueshëm për banesat do të jetë një mundësi për qeverinë për të hequr një barrë nga vetja, e cila, më shumë se financiare, është në radhë të parë sociale.
Top Channel