Autoritetet holandeze kanë nisur një hetim për të zbuluar sesi i akuzuari kroato-boshnjak për krime lufte, Slobodan Praljak mundi të sigurojë helm e ta fusë atë deri në sallën e Gjykatës së Hagës, për të vrarë veten në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.

Praljak, 72-vjeçar, vdiq në spital të mërkurën, menjëherë pasi gëlltiti lëngun e një shisheje të vogël, ndërsa deklaronte se ishte i pafajshëm.

Dënimi i tij 20-vjeçar për krime lufte në Bosnje sapo ishte konfirmuar. Slobodan Praljak duhet të jetë shoqëruar në gjykatë nga njësia e shoqërimit të saj.

Edhe nëse ai i është nënshtruar një kontrolli para se të hynte në sallë, nuk është e pamundur që ai ta ketë kaluar shishen si ilaç, apo substancë tjetër e padëmshme. Dhe pikëpyetja kryesore për hetuesit është: Si e siguroi ai substancën vdekjeprurëse.

Njësia e shoqërimit ndodhet brenda kompleksit të burgut holandez në Scheveningen dhe i duhen vetëm 10 minuta për të mbërritur në gjykatë. Banorët lokalë e quajnë burgun në fjalë “Hiltoni i Hagës”, për shkak të kushteve atje.

Të burgosurit mbyllen në qelitë e tyre vetëm gjatë natës, ndërsa ditën ata janë të lirë të lëvizin dhe të shoqërohen me njëri-tjetrin. Vizitat janë kryesisht të mbikëqyrura, edhe pse brenda njësisë ka edhe dhoma familjare.

Disa kroato-boshnjakë kanë mbajtur ceremoni përkujtimore në nder të njeriut, që ata e shohin si një hero. Ndërkohë, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç sulmoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, që e gjykoi atë.

Para luftës, Praljak ishte regjisor filmash dhe e shkruajti fundin e tij, në një mënyrë që askush nuk mund ta kishte parashikuar. Vetëvrasja e Praljak nuk është në fakt e para gjatë gjykimeve të Hagës. I dyshuari për krime lufte, serbo-kroati Slavko Dokmanoviç vari veten në qelinë e tij në vitin 1998, ndërsa serbo-kroati tjetër Milan Babiç vrau veten po në qeli në vitin 2006.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA