Gomonia e hashashit, të arrestuarit dalin para gjykatës greke

28/11/2017 15:14

Janë dërguar në gjykatë për masë sigurie të arrestuarit si anëtarë të organizatës kriminale që trafikonte kanabis sativa nga Shqipëria në Greqi, Itali dhe Turqi.

Të arrestuarit janë njohur me akuzat, ku me të rëndat konsiderohen akuzat për trafik ndërkombëtar të drogës, organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje, vënie në rrezik e jetës së punonjësit të policisë në shërbim.

Këto akuza pavarësisht rolit të secilit prej të arrestuarve, do të prekin të gjithë të akuzuarit, të cilët konsiderohen si anëtarë të organizatës kriminale.

Deri tani autoritet greke publikojnë vetëm emrat e katër prej të akuzuarve, tre prej të cilëve shqiptare: Ata janë Emiljano Kolaj nga Vlora, Arban Baxheri nga Saranda, Ervis Çaushi nga Përmeti dhe greku Spiros Kardhamis. Biznesmeni Kardhamis nga ishulli i Mikonos konsiderohet si hallka lidhëse mes një shtetasi shqiptar, ende në kërkim dhe trafikanteve turq, të cilët janë edhe pritësit e ngarkesës prej 1.6 tonë kanabis që u kap nga policia greke.

Burime konfidenciale pranë autoriteteve hetimore greke, i thanë Top Channel se organizata kriminale tashmë e shkatërruar, i kishte degët e saj në Shqipërinë qendrore. Sipas hetimeve, dyshohet se droga pasi ngarkohej në skafet e biznesmenit Kardhamis nga Mikonos, shpërndahej në Itali, ndërsa një pjesë e saj këmbehej me heroinë në Turqi.

Burimet sqarojnë se kjo organizatë s’ka asnjë lidhje me organizatën e Habilajve, madje konsiderohet si konkurrente e tyre. Madje në disa raste për të mos rënë në gjurmë, skafet e shkarkonin kanabisin në brigjet turke dhe ktheheshin bosh në Greqi. Ndërsa heroina dërgohej nëpërmjet rrugës klasike, nga Turqia nëpërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë, për të përfunduar në Itali ku i dorëzohej organizatave të mëdha mafioze të jugut të Italisë. Për shkatërrimin e kësaj organizate kriminale të narkotrafikut, informacionet fillestare dhe përgjimet janë servirur prej Deas amerikane, e cila kishte nisur hetimet që në muajin maj të këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA