Nëntë persona, tetë burra dhe një grua janë arrestuar në mëngjesin e së martës në Athinë gjatë një operacioni të befasishëm të Departamentit të Antiterrorit.
Të gjithë të dyshuarit janë shtetas turq me origjinë kurde dhe janë arrestuar në banesat e tyre në lagjet Neo Kosmos dhe Kalithea.
Gjatë operacionit specialistët e policë greke kanë konfiskuar kompjutera, usb, ore dhe kabllo të ndryshme që përdoren për bomba me sahat, si dhe disa vazo me një lëndë të panjohur eksplozive, të cilat janë çuar për analiza në laboratorët e kriminalistikës.
Sipas burimeve të policisë nuk bëhet fjale për terrorizëm të brendshëm dhe as për xhihadistë.
Informacione ende të pakonfirmuara zyrtarisht bëjnë me dije se të arrestuarit i përkasin grupit të së majtës ekstreme DHKP-C. I njohur me emrin Partia Çlirimtare Popullore Revolucionare, të cilët po përgatisnin bomba me telekomandë për t’i përdorur ndoshta në një sulm të mundshëm gjatë vizitës që do të kryejë për disa ditë në Athinë presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan.
Çështja lidhet edhe me një rast të kontrabandës së armëve në ishullin Hios në korrik të vitit 2013 kur organet greke kanë arrestuar dy shtetas turq me origjinë kurde që kishin ne motoskafin e tyre një arsenal të madh armësh,midis të tjerash edhe lëndë eksplozive.
Antiterrorizmi grek ka rënë në gjurmë të të arrestuarve pas informacioneve për lëvizje të dyshimta në shtëpitë ku ata banonin. Pjesëtarë të kësaj organizate janë arrestuar në Greqi edhe gjatë viteve 2011 në Selanik dhe 2014 në Athinë.
Top Channel