Maturantet më të mira duan mjekësinë dhe Gjermaninë

25/11/2017 16:30

Sot në rubrikën Histori Personale do t’ju tregojmë për dy maturante. Ato janë Emiljana dhe Serena, nxënëse të gjimnazeve të Tiranës që për vitin 2017 janë mes maturantëve të shkëlqyer. Ato synojnë të studiojnë për mjekësi ndërsa sytë i kanë nga Gjermania.

Emiljana ishte e bindur se do të bëhej gjyqtare ose prokurore, por një histori e papritur në familje i ndryshoi papritur ëndrrën.

“Arsyeja kryesore ishte fakti që ime më para 1 viti pati një problem me zemrën dhe unë duhet të dija pak më shumë. Më ka ndihmuar shumë dhe tani që po i shoh këto lëndë në Universitetin e Mjekësisë që i kam të njohura, dhe kur mami do pi ilaçet i shoh përbërësit dhe them ja këtë e kam mësuar sot”, tregon Emiljana Gega.

Emiljana mendon se me mjekësinë do t’ia dalë! Megjithëse është e përgatitur që jeta e saj do të jetë vazhdimisht mes studimit, një regjim që në fakt ajo e ka nisur herët.

“Studioj diku te 5 orë në ditë, sidomos në mjekësi që duhet të studiosh më shumë se njihesh me terma që nuk i ke dëgjuar kurrë më parë, janë latinisht, duhet ti mësosh përmendësh, më pas duhet ti gjesh te skeleti. kam pasur një regjim të rregullt studimi dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë. Mësoja çfarë kisha për të mësuar për nesër, avancoja me ato që kisha për të mësuar në ditët e tjera në mënyrë që të mos kisha një barrë të rëndë mësimesh për të mësuar për një kohë të shkurtër”, u shpreh Emiljana Gega.

Ajo është vetëm 18 vjeçe, por mendon se e ka projektuar qartë të ardhmen e saj. “Specializimi, dua të jem mjeke më e kompletuar, jo vetëm mjeke e përgjithshme. këtë nuk e kam vendosur për çfarë do specializohem sepse trupi i njeriut është njohuri, kuriozitet, të fut në atë botën e vet dhe ti nuk di çfarë të zgjedhësh kështu që besoj se pas 6 vitesh do i kem idetë e qarta në kokë”, tha Emiljana Gega.

Një maturante e shkëlqyer e maturës 2017, si Emiljana mund të zgjidhte të studionte kudo, por ka një arsye pse ka vendosur që nesër t’i shërbejë pacientëve shqiptarë.

“Doja të bëhesha mjeke në Shqipëri. Duke ditur që shumica e të rinjve po i kin se këtu në Shqipëri nuk bëhet shkollë nuk bëhet jetë. Vendosa t’ia vëj vetes këtë qëllim, që të bëhem mjeke në Shqipëri, me njohuritë që do marr këtu dhe pastaj do punoj këtu. Në Shqipëri mungojnë mjekët e mirë dhe unë besoj që do jem një mjeke mjaft e mirë për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që ka nevojë”, thotë Emiljana Gega.

Serena, një tjetër maturante ekselente e Maturës 2017 ka tjetër vizion për universitetet në Shqipëri. Ajo sfidoi veten duke u shpallur fituese në të gjitha fakultetet, por synimi i saj është Gjermania.

“Universitetet shqiptarë pavarësisht se mund të kenë mësues shumë të mirë, nuk kanë kushte, nuk kanë laboratorë kështu që do të ishte e kotë që të harxhoja aq shumë vite nga jeta ime për të mësuar diçka gjysmë. të huajt kanë kuota të pakta për t’u pranuar. Kam aplikuar në shumë universitete që kanë reputacion shumë të mirë për mjekësinë. deri tani jam pranuar në 2 universitete, nuk janë aq të famshme, janë në qytete të vogla, por gjithsesi janë pranime në universitet kështu që unë jam shumë e kënaqur për këtë. afati final është 15 janari, kështu që unë pres akoma nga universitetet që dua”, thotë Serena Islamaj, studente.

Për Serenën, lidhja me Gjermaninë ka nisur herët.

“1 nga arsyet pse zgjodha Gjermaninë është edhe fakti që mamaja ime është mësuese e gjuhës gjermane dhe në shtëpinë tonë është folur për gjermanishten për Gjermaninë. Ajo e ka mbaruar fakultetin 20 vite më parë dhe kur ka dhënë provimet unë kam qenë rrugës duke u bërë dhe ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet, ndoshta ka qenë e shkruar”, tregon Serena Islamaj.

Por, 18-vjeçarja thotë se bileta e saj drejt Gjermanisë nuk është prerë për gjithmonë. Një ditë ajo dëshiron që të kthehet sërish.

“Më duket një gjë shumë e bukur që pasi të kem marrë aq shumë dije dhe të jem e plotësuar si mjeke, mund të vij ta ushtroj profesionin në Shqipëri, duke përmirësuar kështu edhe shëndetësinë shqiptare. puna e një mjeku nuk është vetëm rroga, është edhe dashamirësia që kemi ndaj të tjerëve”, shprehet Serena Islamaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA