Meta me Ambasadorët: Objektivi madhor, integrimi

18/11/2017 17:43

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi këtë të shtunë takimin vjetor me Ambasadorët e Shqipërisë në botë, që u mbajt në “Tirana Business Park” me temë “Diplomacia Ekonomike”, gjatë të cilit nënvizoi disa çështje të rëndësishme.

Presidenti theksoi rëndësinë e konsolidimit të politikës së jashtme të Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon.

“Këtu është edhe kontributi më i madh që mund të japë edhe në interes të gjithë partnerëve strategjikë apo qoftë edhe si anëtare e NATO-s, duke forcuar sigurinë e rajonit”, tha ai.

Meta përmendi edhe demarkacionin në Kosovë, ku kërkoi ofrimin e ndihmës së Shqipërisë për Prishtinën për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që sipas tij, bllokon prej dy vitesh liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

Presidenti theksoi nevojën për një diplomaci aktive dhe konkurruese.

“Në kuadër të globalizimit mendoj se duhet të jemi edhe më të pranishëm në forma nga më të ndryshme në rajon dhe kontinente të ndryshme. Kuptohet që ne jemi një vend modest, edhe resurset financiare nuk i kemi kaq të bollshme, por sidoqoftë mendoj se mund të jemi shumë të pranishëm në shumë organizata të ndryshme ku vendet dhe rajonet e ndryshme janë të bashkuara dhe ku ne jemi herë pas here prezentë, me statusin e vëzhguesit apo statuse të tjera që na krijojnë mundësinë të jemi pjesëmarrës, të kemi komunikime të vazhdueshme, të ndjekim zhvillimet që ndodhin dhe të përfitojmë sa më shumë si në planin politik dhe diplomatik, por natyrisht edhe në atë ekonomik”, tha ai.

Kreu i shtetit thotë se objektivi madhor i shqiptarëve mbetet Bashkimi Europian.

“Ne do të bëjmë përpjekje të mëdha për të demonstruar përparim të qëndrueshëm në të pesë prioritetet, në mënyrë të veçantë në zbatimin e reformës në drejtësi, arritjet të cilat do t’ua bëjnë edhe ju punën më të lehtë në vendet ku përfaqësoni vendin për të kërkuar më shumë mbështetje nga vendet anëtare, sidomos të Bashkimit Europian për këtë moment”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA