Jani Dede sot është 91 vjeç dhe pothuajse gjithë jetën e ka kaluar me këmbën e tij prej llamarine, të cilën ja ka sajuar vetes që nga viti 1950.
Pavarësisht problemeve të fëmijërisë, mbi të gjitha varfërisë, Jani ishte një fëmijë si gjithë të tjerët, por mbrëmja e 3 nëntorit të vitit 1943 i ndryshoi jetën përgjithnjë. Bombardimet e asaj nate nga luftanijet gjermane i morën Janit vëllain e tij, por edhe njërën këmbë.
“Kur e humba këmbën, ishte nëntor ‘43, isha 16 vjeç. Mbeta vetëm! Vëllai vdiq. Njeri në Durrës nuk kisha. Familja ishte këtej”, kujton ai.
Ngritja sërish në këmbë ishte e vështirë, por pas disa vitesh, Jani iu rikthye jetës normale. 4 vjet më pas dhe vetëm me një këmbë, ai nisi punë.
“Në ‘47 u futa në punë, pastaj vullnetar kërkova në 1950 në fabrikën e miellit këtu, llamarinist. Punoja atje, bëja kovat. Pastaj më transferuan në Vlorë. Unë e kisha të nevojshme (këmbën) dhe e kërkova nga shteti. S’ma dhanë sepse ndodhi momenti që u prishëm me Jugosllavinë. Një tornitor më tregoi se dikush bënte këmbë. Unë e pashë dhe mendova se mund ta bëja më të mirë. E bëra prej llamarine, e mbarova”, thotë Jani.
Dhe me këtë këmbë, Jani kaloi gjithë jetën e tij, me disa riparime të vogla herë pas here. Por kurrë nuk i ka shkuar ndërmend ta ndërrojë me një protezë të re.
“Modeli im është më i mirë nga ato të jashtmet për vendin tonë, se ne jemi në vend malor. E imja lëviz sipas vendit”, shpjegon ai.
Në vitin 1951, me një këmbë të re dhe pa paterica, ai fillon një jetë te re pasi martohet me Amalinë, gruan që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe i ka dhuruar 3 fëmijë. Jani thotë se pa të nuk do t’ja kishte dalë.
“Për mua gruaja ishte dhuratë nga Zoti. Ishte e vështirë. Në çdo drejtim më ka ndihmuar. Ka qënë edhe burrë, edhe grua. Ka bërë rolin e babait, sepse unë edhe jam sëmurë dhe jam shtruar në spital. Për kohën që isha atje, kjo merrej me fëmijët. I ka rritur fëmijët me vështirësi”, thotë ai.
“Kemi jetuar më mirë nga të tjerët, kemi pasur mirëkuptim. Shumë kemi vuajtur, edhe fukarrallëk, por kemi patur dashuri. Ishte e vështirë, jo vetëm të pranoja por më tha babai ik se do jetosh në qytet dhe do jetosh mirë. Një merak e kam e do e kem sa të rroj, por kam kaluar mirë nga ato që i kanë marrë me dy këmbë. Kur motra e pa për herë të parë, më tha më mirë të kishe vdekur se sa more atë. Ai ishte fati im, u përshtata”, kujton bashkëshortja e tij, Amalia Dede.
Ata sot janë miqtë më të mirë të njëri-tjetrit, por edhe prindër të tre fëmijëve, të cilët thonë se kurrë nuk e kanë ndjerë paaftësinë e të atit.
“Ai ka punuar më shumë se gjithë prindërit e tjerë, gjithë jetën ka bërë punë fizike pa asnjë pension invaliditeti…”, thotë Kristo, djali i Janit.
Jani tregon se pasioni më i madh i jetës së tij ka qënë puna.
“Po të kesh vullnetin bëhet çdo gjë. Njeriu mund t’ja dalë në jetë vetëm kur ka vullnet për punë, se puna është burimi i çdo gjëje në jetë”, këshillon 90-vjeçari.
Top Channel