Opozita e kundërshton në bllok buxhetin e 2018. Për Partinë Demokratike, ky buxhet po shërben si pastrim për paratë e drogës dhe merr në mbrojtje klientët e qeverisë.
“Pasi e mbushi Shqipërinë me drogë, pasi e ktheu në “delen e zezë” të Europës, pasi i mbylli derën e integrimit europian, pasi e zhyti në kolaps ekonomik, duke përfshirë fukarenjtë që i zhyti në biznesin e drogës dhe që sot e shesin më lirë se çajin, tani paratë e drogës do t’i pastrojë për veten e tij dhe për miqtë e tij”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.
Basha thotë se ky buxhet është prova për trafikun e drogës.
“Duhet ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga Prokuroritë e Italisë dhe Gjermanisë si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës”, vijoi Basha.
Edhe për Lëvizjen Socialiste për integrim, ky buxhet po shërben për pastrim parash.
“I jep vetes të drejtën të lehtësojë, të mundësojë, t’u krijojë të gjitha favoret e dukshme dhe të mundshme klientëve të pushtetit, trafikantëve, të cilët duan të pastrojnë paratë e tyre nëpërmjet parave dhe investimeve publike. E kthen megaqeverinë në një mekanizëm pastrues parash dhe abuzivitetit, favorizues për miqtë dhe klientët dhe diskriminues deri në palcë për të gjitha shtresat e tjera të biznesit dhe popullsisë, të cilat vuajnë nga ky arbitraritet dhe absurditet që e sjell vetëm një diktaturë e tepsisë”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Top Channel