Trump kundër OBT për tregtinë e lirë, Jinping: Globalizmi, i pakthyeshëm

10/11/2017 16:31

Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të toleronin më abuzime kronike tregtare, në një fjalim sfidues në Samitin e bashkëpunimit ekonomik Azi-Paqësor.

Ai shtoi se do të vendoste gjithnjë interesat amerikane të parat dhe vendet e “APEC”-ut duhet t’u binden rregullave të ndershme reciproke tregtare.

Në një kontrast të dukshëm, presidenti Xi Jinping i Kinës tha se globalizimi ishte i pakthyeshëm dhe shprehu mbështetje për multilateralizmin.

Trump ndodhet aktualisht në një turne në 5 vende aziatike, me Kinën një prej ndalesave të tij. “APEC” mbledh bashkë 21 ekonomi nga rajoni i Paqësorit, ekuivalente e 60 për qind të GDP-së së botës.

Që nga marrja e detyrës, presidenti Trump ka ndjekur axhendën e tij “Amerika e para” dhe ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja rajonale e partnershipit transpaqësor, një marrëveshje e madhe tregtare mes 12 vendeve të “APEC”-ut, duke argumentuar se dëmton interesat ekonomike amerikane.

Në Vietnam, Presidenti Trump u pozicionua ndërkohë kundër Organizatës Botërore të Tregtisë, që përcakton rregullat e tregtisë globale dhe tha se ajo nuk mund të funksionojë siç duhet, nëse të gjithë anëtarët nuk respektojnë rregullat.

Ai u ankua për mungesën e balancave tregtare, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë ulur barrierat tregtare dhe kanë hequr tarifat, ndërsa vendet e tjera nuk kanë bërë të njëjtën gjë.

“Praktika të tilla dëmtojnë shumë njerëz në vendin tim dhe tregtia e lirë na ka kushtuar me miliona vende pune”, tha ai. Por Trump nuk fajësoi për këtë vendet e “APEC”-ut, por akuzoi administratat e mëhershme amerikane, sepse nuk kanë vepruar më parë për të penguar trendin.

Ai tha se Amerika do të bëjë marrëveshje dypalëshe me çdo partner që u bindet rregullave të ndershme të tregtisë, por vetëm mbi bazën e respektit dhe përfitimit të ndërsjellë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA