Lideri i organizatës libaneze Hezbollah sulmoi ashpër Arabinë Saudite, disa ditë pas kryeministri libanez Saad al-Hariri lajmëroi dorëheqjen e tij në kryeqytetin saudit.
Hassan Nasrallah tha se Arabia Saudite i ka shpallur luftë Libanit dhe se po e mban Haririn kundër vullnetit të tij. Por sipas sauditëve dhe Francës, e cila është angazhuar në këtë çështje, Hariri është plotësisht i lirë në Riad. Megjithatë, Nasrallah gjithashtu akuzoi sauditët se po nxisin Izraelin kundër Libanit.
Lëvizja e fuqishme Shiite Hezbollah është një aleate e Iranit, i cili gjithashtu akuzon sauditët për nxitjen e tensionit në Liban dhe në rajon. Të shtunën, gjatë një transmetimi televiziv nga Riadi, ish-kryeministri libanez Hariri tha se po jepte dorëheqjen për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij. Në mesazhin e tij, Hariri gjithashtu sulmoi Hezbollah dhe Iranin.
“Ne e dënojmë ndërhyjen e ashpër dhe të qartë saudite në cështjet tona ët brendshme. Cdo sulm ndaj një kryeministri libanez, është sulm ndaj ët gjithë libanezëve, edhe kur ai është rivali ynë politik”, tha Hassan Nasrallah, lider i Hezbollah.
Lëvizja e së ardhmes e ish-kryeministri Hariri konsiderohet si rivali politik i Hezbollah, megjithëse të dyja janë në qeveri. Nasrallah tha se sauditët duhet të kthejnë menjëherë Haririn në vendin e tij, një kërkesë kjo e bërë edhe nga partia politike e vetë ish-kryeministrit.
Lideri i Hezbollah gjithashtu akuzoi sauditët se janë të gatshëm t’i paguajnë miliarda Izraelit që të sulmojë Libanin, gjëja më e rrezikshme që mund të ndodhë sipas tij.
Top Channel